Prishtinë, vazhdojnë protestat kundër vendimit të gjykatës

18.09.2026 18:11

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë vazhduar protestat në kundërshtim të vendimit dënues prej 81 vitesh heqje lirie për katër ish-krerët e UÇK-së....

Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë vazhduar protestat në kundërshtim të vendimit dënues prej 81 vitesh heqje lirie për katër ish-krerët e UÇK-së. Në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, organizatorët e protestës prezantuan katër kërkesa, përfshi shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara. 
 
“Kërkesa numër një, shfuqizim ose ndryshim i ligjit për dhomat e specializuara. Kërkesa numër dy, shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. Çka është një ministër pa popullin, popullin nuk e keni prapa, duhet të largoheni. Kërkesa numër tre mbështetje e pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që ju duhet krerëve të UÇK-së dhe popullit tonë. Dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së, sepse UÇK-ja jemi ne, UÇK-ja është populli i Kosovës dhe ne nuk do të lejojmë të na e merrni atë që e kemi fituar me gjak.”, - theksoi drejtuesja e protestës.
 
Paraprakisht të pranishmëve iu drejtuan edhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi, dhe kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati. 
 
“Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik e çdo të zhdukuri, e çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë.”, - u shpreh djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi.
 
“Ne sot kërkojmë që Gjykata Speciale këtë vendim ta shfuqizojë dhe të marrë parasysh tërë këtë popull, mbi dy milionë shqiptarë, të cilët janë ngritur në këmbë për të mbrojtur djemtë e vet.”, - theksoi kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
 
Në fund të protestës nga organizatorët u paralajmërua se protestat në mbrojtje të UÇK-së do të vazhdojnë deri në lirimin e krerëve të UÇK-së. (Gyltene Sinani, TVM2)