TVM2 shpalos strategjinë për vitin 2027: Më shumë prodhim vetanak dhe transformim digjital

18.09.2026 18:15

TVM2 hyn në vitin 2027 me një strategji të re programore...

TVM2 hyn në vitin 2027 me një strategji të re programore, me fokus te rritja e prodhimit vetanak, forcimi i informativit dhe një prani më e madhe në terren dhe në platformat digjitale. Informativi mbetet boshti kryesor i programit, me katër edicione gjatë ditës.

Risia kryesore është zgjerimi i Ditarit Qendror në një format 45-minutësh, me synimin, që përveç lajmit, publikut t’i ofrohet edhe më shumë kontekst, analiza, të dhëna dhe shpjegim për ndikimin e zhvillimeve te qytetarët.

Një tjetër prioritet është rritja e prodhimit vetanak.

TVM2 synon të sjellë çdo ditë 2 deri në 3 orë përmbajtje të re drejtpërdrejt nga studio, ndërsa gjatë javës të realizojë 10 deri në 20 orë programe origjinale joinformative.

Më shumë hapësirë do t’i kushtohet edhe terrenit. Përmes formatit “Komuna ime”, TVM2 synon të jetë drejtpërdrejt në komunat e vendit, duke trajtuar problemet konkrete të qytetarëve dhe duke kërkuar përgjigje nga institucionet.

Strategjia parasheh edhe forcimin e rrjetit të korrespondentëve, me qëllim që televizioni të sjellë më shumë informacion nga terreni dhe një pasqyrë më të plotë të realitetit në të gjithë vendin.

Në fokus do të jenë edhe formatet analitike dhe shpjeguese.

“Pas Numrave” do t’i trajtojë temat përmes të dhënave, statistikave, info-grafikave dhe zërit të qytetarëve, ndërsa “Fokus” do të përqendrohet në temat kryesore të javës. Parashikohen gjithashtu reportazhe të rregullta dhe të paktën një dokumentar në muaj.

Një pjesë e veçantë e strategjisë i kushtohet të rinjve, me përmbajtje nga arsimi, shkenca, teknologjia, kultura dhe kreativiteti.

Ndërkohë, transformimi digjital synon që përmbajtjet e TVM2 të mos mbeten vetëm në ekranin televiziv, por të përshtaten edhe për ueb, rrjetet sociale, video të shkurtra dhe formate të tjera digjitale.

Strategjia parasheh edhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet kulturore dhe televizionet rajonale, përmes shkëmbimit të përmbajtjeve, materialeve dhe mundësive për bashkëprodhime.

Me strategjinë për vitin 2027, TVM2 synon të zgjerojë prodhimin vetanak, të forcojë praninë në terren dhe të përshtatë përmbajtjen me mënyrën e re se si publiku konsumon informacionin. Në qendër të kësaj qasjeje mbetet qytetari, si shikues, bashkëbisedues dhe pjesëmarrës në program. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)