Mickoski në ShBA: Vlerësim sipas meritave në procesin e integrimit

18.09.2026 18:10

Kryeministri Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës së tij në Uashington...

Kryeministri Hristijan Mickoski, në kuadër të vizitës së tij në Uashington, iu drejtua Këshillit Atlantik, ku prezantoi prioritetet strategjike të Qeverisë, pozicionin e vendit në rajon, partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, integrimin evropian, si dhe planet për zhvillimin ekonomik, infrastrukturor, energjetik dhe teknologjik të vendit. Sipas Mickoskit, parashikueshmëria e procesit dhe garancia se nuk do të hapen vazhdimisht kushte të reja dypalëshe janë thelbësore.

Kryeministri theksoi se Qeveria është duke kërkuar një zgjidhje për rrugën evropiane, Maqedonia nuk do të presë në vend, por do të vazhdojë të zhvillojë ekonominë, të zbatojë reforma, të forcojë sundimin e ligjit.

Mickoski theksoi se Maqedonia mbetet plotësisht e përkushtuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por se procesi duhet të bazohet në reforma dhe merita, në vend që të hapë vazhdimisht çështje të reja dypalëshe.

“Nuk jam tip i politikanëve që do të futesha në aventura, pa pasur parasysh momentin e përfundimit të asaj aventure, benefitet, por edhe përfitimet. Nuk jemi aspak nervozë, ne brenda kohës po punojmë, po e zhvillojmë ekonominë tona. Po mundohemi të rritemi me funksionimin e shtetit të së drejtës, plotësimit të agjendës reformuese, por edhe planin për rritje. Maqedonia ka qenë në rrugën evropiane për më shumë se dy dekada dhe se në periudhën e kaluar shteti dhe qytetarët kanë bërë lëshime të shumta në emër të perspektivës evropiane. Pakënaqësia midis qytetarëve buron nga fakti se pavarësisht hapave të ndërmarrë, shteti përsëri po përballet me kushte shtesë.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.

Filipçe: ShBA-ja dhe BE-ja po dënojnë këtë qeverisje

Por, kreu i LSDM-së, Venko Filipçe, vizitën e kryeministrit Mickoski në ShBA e cilësoi si vizitë të dështuar, pasi, sipas tij, ShBA dhe BE-ja, e dinë mirë se si qeveriset vendi, ndërsa ndëshkimi ka ardhur nga vet ShBA-ja, e cila, sipas Filpçes,  zvogëloi ndihmën ushtarake për vendin tonë.

“Partneri ynë strategjik e dinë fare mirë se çfarë qeverisjeje janë ato. BE-ja dhe ShBA-ja e dinë se janë një qeverisje e korruptuar, e dinë se në vend po futen para kineze, e dinë se Mickoski po hetohet për kredinë hungareze prej 1 miliard euro, e dinë se po cenohet liria e të shprehurit, po cenohet demokracia me mediat serbe, e dinë se me Alta Bankën po hyjnë para të dyshimta. Kjo qeveri nuk po i lexon porositë nga BE-ja se janë për politikat e zgjerimit, dhe se për katër vende si Mali i Zi, Shqipëria, Moldavia dhe Ukraina do të ketë trajektore se si do të bëhen anëtare të BE-së, për fat të keq ne nuk jemi aty, dhe për shkak kësaj qeverisjeje na kanë futur në grup me Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.”, - theksoi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.

Filipçe më tej shtoi se kjo qeveri qëllimisht është duke realizuar politika izoluese. Dhe tani, sipas tij, në buxhetin e ri të BE-së nuk do të përfshihet Maqedonia dhe mekanizmi i financimit do të jetë në bazë të reformave, të cilat i realizon vendi.

Prandaj, sipas Filipçes, vendi pa mjetet e BE-së nuk mund të ekzistojë, vendi do të varfërohet edhe më shumë. (Fitim Kryeziu, TVM2)