Maqedoni
QMK: Sërish zjarre në vend, 20 vatra të reja, tre janë ende aktive
19.09.2026 12:39
Pas disa ditësh me një situatë më të qetë sa i përket zjarreve...

Pas disa ditësh me një situatë më të qetë sa i përket zjarreve, në vend janë hapur sërish vatra të reja. Gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë në disa zona për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën në terren.
Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, gjatë ditës janë regjistruar gjithsej 20 vatra zjarri në ambiente të hapura. Tre prej tyre mbeten aktive, ndërsa dy janë nën kontroll. Zjarret aktive janë raportuar në Podvis të Krivogashtanit, në Evla të Resnjës dhe në Pçinjë të Kumanovës.
“Ekipet në terren po vazhdojnë me ndërhyrjet në zonat ku zjarret janë ende aktive. Vëmendje e veçantë po i kushtohet vatrave që ndodhen pranë sipërfaqeve pyjore, për të parandaluar përhapjen e tyre. Situata po ndiqet vazhdimisht dhe, në varësi të nevojës, do të angazhohen edhe ekipe shtesë. Për momentin, nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë për banorët apo objektet”, thuhet nga Qendra për Menaxhim me Kriza.
Ndërkohë, nën kontroll janë dy zjarre, njëri në zonën e Beliçës në Makedonski Brod, me përhapje drejt Jasenit në Sopishtë, ku është përfshirë pyll i ulët dhe i përzier, si dhe një tjetër në fshatin Badilen të Novosellës.
Në bilancin e mëngjesit janë përfshirë edhe 15 zjarre të shuara në disa komuna të vendit. Ato kanë përfshirë kryesisht vegjetacion të ulët, mbeturina, deponi dhe në disa raste sipërfaqe pyjore.
Pas qetësisë së ditëve të fundit, rikthimi i vatrave të reja tregon se rreziku nga zjarret në ambiente të hapura mbetet i pranishëm, ndërsa ekipet e zjarrfikësve dhe institucionet kompetente vazhdojnë të jenë në gatishmëri.
FARIJEDAUTI BAKIU
