Botë
Prishtinë, protesta deri në mesnatë kundër vendimit për katër ish krerëve të UÇK-së
19.09.2026 13:51
Për të tretën natë radhazi, Prishtina u përfshi nga protesta masive...

Për të tretën natë radhazi, Prishtina u përfshi nga protesta masive që zgjatën deri në orët e vona të mbrëmjes. Qindra qytetarë u mblodhën sërish në sheshin "Skënderbeu" në shenjë revolte ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila dënoi me 25 vite burg ish-presidentin Hashim Thaçi dhe gjithsej me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së.
Nën moton "Jo në emrin tim", protestuesit kundërshtuan formulimin e gjykatës se aktgjykimi u shpall "në emër të popullit". Në protestën e thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, organizatorët e protestës prezentuan katër kërkesa, përfshi shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për dhomat e specializuara.
“Kërkesa numër një, shfuqizim ose ndryshim i ligjit për dhomat e specializuara. Kërkesa numër dy, shkarkimi i minsitres së drejtësisë Donika Gërvalla. Çka është një minister pa popullin, popullin nuk e keni prapa duhet të largoheni. Këkesa numër tre mbështetje e pa kufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen që ju duhet krerëve të UÇK-së dhe popullit tonë. Dhe angazhimin e ekspertëve ndërmkombëtarë për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së sepse UÇKja jemi ne, UÇK-ja është populli I Kosovës dhe ne nuk do të lejojmë të na e merrni atë që e kemi fituar me gjak”, deklaroi drejtuesi i protestes.
Paraprakisht të pranishmive iu drejtuan edhe djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi dhe kreu i OVL-UÇK-së Hysni Gucati.
“Ajo që ndodhi në Hagë nuk është çështje ndaj katër individëve. Ky aktgjykim prek një histori të madhe, prek sakrificën e çdo dëshmori, çdo veterani, çdo të burgosuri politik e çdo të zhdukuri, e çdo fëmije që nuk arriti ta shijojë Kosovën e lirë”, u shpreh djali i Jakup Krasniqit, Altin Krasniqi.
“Ne sot kërkojmë që gjykata speciale këtë vendim ta shfuqizojë dhe të merr parasyshë tërë këtë popull, mbi dy million shqiptarë të cilët janë ngritur në këmbë për të mbrojtur djemt e vet”, theksoi kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.
Protestuesit ndezën qirinj, kënduan këngë patriotike dhe u shpërndanë të qetë para mesnatës. Në fund të protestës nga organizatorët u paralajmërua se protestat në mbrojtje të UÇK-së do të vazhdojnë deri në lirimin e krerëve të UÇK-së.
FARIJE DAUTI BAKIU
