Integrimi Evropian, Mickoski: Zgjidhje me fund të parashikueshëm për ne
19.09.2026 15:42
“Me Bullgarinë nuk bëjmë inat dhe nuk jemi kokëfortë...

“Me Bullgarinë nuk bëjmë inat dhe nuk jemi kokëfortë, por bëjmë atë që është e nevojshme për të gjetur zgjidhje me një fund të parashikueshëm”. Kështu u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski në intervistën e dhënë për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve “MIA” në Uashington. Ai tha se tema e marrëdhënieve me Bullgarinë është e pashmangshme dhe se kërkohen zgjidhje për këtë çështje.
“Jemi të gatshëm të argumentojmë, jemi të gatshëm që nëse argumentet e bashkëbiseduesit i tejkalojnë argumentet tona, t’i pranojmë. Nuk bëjmë inatosemi dhe as nuk jemi kokëfortë. Por, ajo që përbën qëllimin tonë është që strategjinë tonë, të vërtetën tonë, ta prezantojmë në mënyrën më të mirë që mundemi dhe përmes një debati politik, një përballjeje politike në skenën ndërkombëtare, të rikthejmë një pjesë të pozicioneve që qeveritë e mëparshme i kanë humbur për ne” tha Mickoski në intervistën për MIA-n, duke theksuar se marrëdhëniet me Bullgarinë janë temë diskutimi me partnerët evropianë, veçanërisht me përfaqësuesit e Këshillit dhe Komisionit Evropian, si dhe me presidentin Antonio Costa dhe përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri Kaja Kallas.
Ai vlerëson se kjo çështje tashmë po tërheq vëmendje dhe se është në fokusin e partnerëve, veçanërisht në Evropë. Mickoski thotë se po kërkohen zgjidhje, por nënvizoi se “kurrë nuk do të hyj në një proces pa pasur një fund të parashikueshëm”.
“Për mendimin tim, që të arrijmë deri te një proces i tillë, fillimisht duhet të ndërtojmë besim, ndërsa për këtë duhet të bisedojmë. Duhet që kjo dëshirë të ekzistojë nga të dyja palët, kjo është rrugë me dy drejtime, nuk mund të jetë vetëm nga njëra anë. Procesin do ta zhvillojmë paralelisht. Jemi të gatshëm të diskutojmë për harmonizimin e planit të veprimit për pakicat, natyrisht, në prani të komunitetit ndërkombëtar, sepse nëse zhvillojmë dialog vetëm me fqinjin tonë lindor, atëherë konfirmohet ajo që ne themi se është çështje dypalëshe. Kam frikë se një dialog i tillë është dialog mes njerëzve që ndoshta nuk do të arrijnë të dëgjohen në mënyrën e duhur. Prandaj vlerësoj se është e nevojshme të kemi edhe një tjetër në tryezë. Le të jetë, për shembull, një përfaqësues nga Bashkimi Evropian”, u shpreh Mickovski.
Në të njëjtën intervistë, Mickoski vlerësoi se SHBA-të dhe administrata e presidentit Donald Trump e shohin Maqedoninë e Veriut si mik dhe përkrahës të afërt, duke theksuar se mbështetja amerikane mbetet e pandryshuar në NATO, ekonomi dhe investime.
Ai foli edhe për data qendrat, duke thënë se ato janë e ardhmja dhe se Qeveria garanton përdorimin e sistemeve të mbyllura të ftohjes, me konsum të ulët të ujit. Mickoski bëri të ditur se aktualisht po zhvillohen bisedime me kompaninë “Rumble” të Chris Pavlovskit dhe me pesë kompani të tjera.
REXHEP QAMILI
