Prishtinë, protesta deri në mesnatë kundër vendimit për katër ish krerëve të UÇK-së

19.09.2026 15:42

Prishtina për të katërtën ditë me radhë proteston ndaj vendimit...

Prishtina për të katërtën ditë me radhë proteston ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila dënoi me 25 vite burg ish-presidentin Hashim Thaçi dhe gjithsej me 81 vite burg katër ish-krerët e UÇK-së. 
 
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, kërkon unitet dhe një platformë të qartë për veprim pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
 
Ajo tha se Kosova duhet të ndjekë shembullin e Shqipërisë me mbledhjen e kuvendit dhe të përcaktojë hapat për t’u dalë në mbrojtje ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa Gjykatën Speciale e cilësoi si politike dhe jo si një institucion që ka prodhuar drejtësi.
 
“Është e nevojshme të kemi një unitet dhe të kemi një platformë të qartë se si të dalim prej kësaj situate, t’i mbrojmë krerët e suhtrisë çlirimtare të Kosovës dhe duhet të vazhdojmë në këtë prizëm. Ju e patë se në Shqipëri ka pasur një seancë të jashtzakonshme pikërisht për verdiktin dhe ju ka dhënë një përkrahje krerëve të UçK-së duhet edhe Kosova të takohemi dhe t’i shohim cilat janë hapat më të mir më të sigurtë që tu dalim në mbrojtje sepse nuk është një gjykatë që ka prodhuar drejtësi, është një gjykatë politike dhe nëse nuk ka drejtësi nuk I besojmë më kësaj gjykate”, deklaroi deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.  
 
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se protesta e mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ka kaluar kryesisht e qetë.
 
“Situata ka qenë kryesisht e qetë, nuk është raportuar për ndonjë incident në aspektin e sigurisë”, thuhet në komunikatën e policisë. 
 
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, ndërsa ka apeluar për kujdes të shtuar, respektim të ligjeve dhe rregullave të trafikut, si dhe për të shmangur dëmtimin e pronës publike dhe private. 
 
FARIJE DAUTI BAKIU