Botë
Trump vendos sanksione të reja ndaj Rusisë, Putin paralajmëron për rritje të tensioneve me Europën
19.09.2026 16:21
Presidenti amerikan Trump nënshkroi një ligj për sanksione...

Presidenti amerikan Trump nënshkroi një ligj për sanksione të reja kundër Rusisë, me tarifa deri në 100 për qind për vendet që blejnë naftë dhe gaz rus, si dhe sanksione ndaj zyrtarëve rusë, bankave dhe kompanive energjetike.
Ndërkohë, ndërsa vazhdon dita e dytë e votimit në Rusi, Putin akuzoi Kievin se po përpiqet të pengojë zgjedhjet dhe se i nevojitet lufta për të qëndruar në pushtet. Ai vlerësoi gjithashtu se disa liderë evropianë përgatiten për luftë me Rusinë.
“NATO-ja rritet dhe zgjerohet, ndërsa disa liderë evropianë deklarojnë hapur se po përgatiten për luftë me Rusinë. Ne nuk kemi plane apo qëllime agresive ndaj Europës apo vendeve europiane. Sugjerimet se Rusia përbën kërcënim janë të trilluara“, deklaroi presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Ndërsa luftimet në Ukrainë vazhdojnë, përfaqësuesit e NATO-s në Kopenhagë deklaruan se Aleanca po forcon mbrojtjen ajrore dhe raketore dhe po vazhdon të mbështesë Kievin.
“Lufta e paligjshme agresive e Rusisë kundër Ukrainës ka hedhur një hije të gjatë. Ka pasur shkelje të hapësirës ajrore të disa aleatëve të NATO-s, përfshirë këtu në Kopenhagë, ku u zbuluan dronë të paautorizuar pranë aeroportit. NATO-ja vazhdon të forcojë mbrojtjen e saj të integruar ajrore dhe raketore dhe të mbështesë Ukrainën”, u shpreh kryetari i komitetit ushtarak admirali Giuseppe Cavo Dragone.
Ndërkohë, trafiku ajror në aeroportin e Luksemburgut është rikthyer, pasi fluturimet u ndërprenë përkohësisht për shkak të dronëve. Për momentin nuk ka informacione zyrtare se nga kanë ardhur dronët dhe as nuk dihet se kush i ka drejtuar ata.
FARIJE DAUTI BAKIU
