Peru fiton Venezuelën, barazohet gjithçka në grupin C

19.06.2015 15:56

Peruja fiton 1-0 ndaj Venezuelës dhe e bën grupin C të Kupës Amerikës ndër më të paparshikueshmit, pasi tashmë të 4-ta kombëtaret që bëjnë pjesë në këtë grup numërojnë nga 3 pikë secila dhe kanë shanse të njëjta për të avancuar më tej...

Në Estadio “Elias Figueroa” në Valparaiso vendosi një gol i sulmuesit të Bayernit Claudio Pizarro, me këtë fundit që realizoi në minutën e 72-të duke i dhënë një trepikësh me shumë vlera Perusë.

Ndeshja nisi më mirë për Venezuelën që në minutat e para ishte më aktive por Salomon Rondon i vetëm përballë portierit kundërshtar nuk arriti të kalonte të tijët përpara.

Pa u mbushur gjysmë ore lojë takimi mori një tjetër rrjedhë teksa formacioni i drejtuar nga trajneri Noel Sanvicente mbeti me një lojtar më pak pasi mbrojtësi Amorebieta u ndëshkua me karton të kuq nga kryesori për një ndërhyrje të rëndë ndaj Paulo Guerreros.

Në superioritet numerik për më shumë se 60 minuta Peruja e kishte më të thjeshtë të kontrollonte lojën. Megjithatë goli vonoi deri në minutën 72-të kur Claudio Pizarro arriti të mposhte portierin e Venezuelës Baroja duke kaluar ekipin e trajnerit Ricardo Gareca në avantazh.

Me këtë fitore Peruja barazoi Venezuelën, Brazilin dhe Kolumbinë në kuotën e 3 pikëve. Dilemat e grupit C të Kupës së Amerikës do të zgjidhen vetëm në dy takimet e radhës, që janë Brazil-Venezuelë dhe Kolumbi-Peru.