Juventusi blen Manxhukiçin, Interi mbrojtësin Mirandën
Juventusi siguron kroatin Mario Manxhukiç si pasardhës të Karlos Tevezit, që do të kthehet në Argjentinë...

Drejtuesi juventin, Bepe Marota, realizoi marrëveshjen me një vizitë të shpejtë në Madrid, ku u vendos që sulmuesi shtatlartë të bashkohej me kampionen e Italisë për 18 milionë euro, plus edhe shuma të tjera në varësi të rezultateve që do të arrijë.
Kroati do të firmosë një kontratë 4-vjeçare dhe do të kalojë vizitat mjekësore ditën e hënë. Ai u shpall kampion i Europës me Bajernin e Mynihut dy vjet më parë, kur edhe shënoi në finalen ndaj Dortmundit në “Uembli”. Më herët luajti për NK Zagrebin, Dinamon e Zagrebit dhe Volfsburgun, ndërsa me Atletikon shënoi 20 gola në 43 ndeshje sezonin e kaluar.
Për Kroacinë, ai ka luajtur në finalet e Europianit 2012 dhe Botërorit 2014. Interi, ndërkaq ka marrë një tjetër lojtar të Atletikos, mbrojtësin Miranda. Braziliani do të vijë në “San Siro” në formë huazimi, ndërsa më pas italianët do të paguajnë 12.5 milionë euro, plus 2 milionë euro të tjerë si bonus.
Miranda, kampion i Spanjës dhe nënkampion i Europës vitin e kaluar, do të firmosë një kontratë trevjeçare me rrogë 2.5 milionë euro në sezon.
