Maqedoni
VMRO-DPMNE: LSDM dhe Filipçe “shitën” identitetin
20.09.2026 13:51
Përplasjet dhe akuzat e ndërsjella mes partive politike...

Përplasjet dhe akuzat e ndërsjella mes partive politike maqedonase kanë vazhduar edhe sot.
VMRO-DPMNE, akuzon liderin e LSDM-së, Venko Filipçen, dhe socialdemokratët se janë pikërisht ata që, kanë bërë “tradhtitë më të mëdha”, kanë ndryshuar emrin e shtetit, kanë nënshkruar dokument të bardhë për kërkesat e Bullgarisë dhe kanë shitur interesat kombëtare. VMRO-DPMNE e akuzon Filipçen edhe për keqpërdorime dhe përfitime të paligjshme gjatë kohës në pushtet.
“Filipçe tha se Maqedonia nuk është në shitje, pasi bashkë me Zaevin e shitën emrin. Filipçe i gënjen qytetarët se Maqedonia nuk është në shitje, ndërsa pikërisht ai është që po e shet identitetin dhe gjuhën te Bullgaria, vetëm që të vijë në pushtet. Filipçe dëshiron vetëm të vijë në pushtet që të mund të vjedhë, të kurdisë tenderë dhe të marrë komisione. Filipçen, përveç interesit të tij, nuk e intereson asgjë tjetër. Filipçe dëshiron të marrë Audi Q8 nga kompanitë të cilave ua kurdis tenderët, dëshiron komision prej 20 për qind nga ndërtimi i spitaleve modulare, ndërsa dëshiron të përfitojë edhe nga vaksinat kundër COVID-it, të cilat më pas do t’i shiste për një shumë tri herë më të lartë. Ky është Filipçe i vërtetë, i cili do të shesë gjithçka që mundet, vetëm që të vijë në pushtet. VMRO-DPMNE-ja dhe qytetarët nuk do ta lejojnë këtë”, deklaroi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: 13.2 milionë euro për firmën serbe të orëmatësve
Nga ana tjetër LSDM-ja pretendon se ka zbardhur siç thonë të gjithë rrjetin e biznesit të kryeministrit Hristijan Mickoski në sektorin e energjetikës, duke akuzuar se ai ka “tentakula të thella dhe të gjera” në këtë sektor.
Socialdemokratat thonë se biznesi në këtë sketor vazhdon të lulëzojë, duke e lidhur këtë me një marrëveshje të re për furnizimin me matës të energjisë elektrike, me vlerë 13.2 milionë euro, për një kompani serbe të lidhur me “Rudnap Group”.
“Publikojmë një marrëveshje të re biznesi, me vlerë 13.2 milionë euro. Kompania “METER&CONTROL” nga Serbia është zgjedhur si bartëse e kontratës së EVN Maqedonisë për furnizimin me orëmatës të energjisë elektrike. Kontrata është lidhur më 11 gusht 2026, me vlerë të publikuar prej rreth 13.2 milionë eurosh. Ndërsa “METER&CONTROL”, natyrisht është e lidhur me “Rudnap Group”. Është themeluar në vitin 2008, ndërsa “Rudnap Group” figuron në historikun e saj të pronësisë. Cila është lidhja kryesore me “Rudnap”? Sanja Bozhinovska, ministrja e Mickoskit për Energjetikë. Bozhinovska, në periudhën 2011-2014, ka qenë drejtoreshë ekzekutive në kompanitë e “Rudnap Group” në Evropën Qendrore dhe Lindore. Bozhinovska lidhet edhe me “Rudnap DOOEL” Shkup, ku ka qenë menaxhere”, u shpreh Keti Shterjova nga LSDM.
Ditë më herët, LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja u përplasën edhe për shfrytëzimin e pasurive natyrore dhe investimet e paralajmëruara, përfshirë qendrat e të dhënave.
Socialdemokratët kundërshtuan projektin për nxjerrjen e antimonit dhe ndërtimin e qendrave të të dhënave, duke kërkuar që për këto çështje të pyeten qytetarët.
Ndërkohë, nga VMRO-DPMNE-ja theksuan se qendrat e të dhënave janë pjesë e zhvillimit të ardhshëm të vendit dhe, sipas tyre, nuk paraqesin rrezik për qytetarët.
REXHEP QAMILI
