Maqedoni
Filipçe për qëndrimin e Mickovskit në ShBA: Nuk është në agjendën e takimeve me Tramp
20.09.2026 14:09
Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, reagoi ndaj vizitës...

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, reagoi ndaj vizitës së kryeministrit Hristijan Mickoski dhe delegacionit qeveritar në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur pikëpyetje për numrin e madh të anëtarëve të delegacionit dhe shpenzimet e udhëtimit. Sipas socialdemokratëve, Mickoski nuk figuron në listën e liderëve shtetërorë dhe zyrtarëve që do të takohen me presidentin amerikan Donald Trump.
Sipas Filipçes, një nga treguesit e marrëdhënieve të dëmtuara është fakti se, për herë të parë që nga pavarësia, SHBA-të kanë ulur ndihmën ushtarake për vendin. Për LSDM-në, këto zhvillime janë tregues i një raporti të ndryshuar mes Shkupit dhe Uashingtonit, ndërsa pikëpyetje kanë edhe për koston e përgjithshme të vizitës së delegacionit qeveritar.
“Po shohim një delegacion të madh që po viziton SHBA-të, i cili, sipas informacioneve tona, numëron mbi 50 persona. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush i paguan shpenzimet e larta të këtij udhëtimi. Sot u publikua lista e liderëve shtetërorë dhe zyrtarëve me të cilët do të takohet presidenti Trump, ndërsa Hristijan Mickoski nuk është në atë listë. Është e qartë se administrata amerikane e di mirë se Hristijan Mickoski drejton një Qeveri që sjell para kineze në vend, në kundërshtim me interesat tona të përbashkëta me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky pushtet po e minon demokracinë dhe po vendos kontroll mbi mediat përmes lidhjeve ruso-serbe”, deklaroi lideri i LSDM -së, Venko Filipçe.
Kryeministri Hristijan Mickoski, së bashku me një delegacion qeveritar, tashmë prej disa ditësh po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai në një intervistë,për Agjencinë Shtetërore të Lajmeve “MIA!
Mickoski vlerësoi se SHBA-të dhe administrata e presidentit Donald Trump e shohin Maqedoninë e Veriut si mik dhe përkrahës të afërt, duke theksuar se mbështetja amerikane mbetet e pandryshuar në NATO, ekonomi dhe investime.
REXHEP QAMILI
