Maqedoni
Tragjedi në autostradën Kumanovë–Shkup, dy të vdekur dhe tre të plagosur nga aksidenti
20.09.2026 14:45
Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën...

Dy persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën në një aksident të rëndë trafiku në autostradën Kumanovë–Shkup, pranë Agino Sellës.
Aksidenti ndodhi në drejtim të Shkupit, ku u përplasën një automjet tip “Mercedes”, i drejtuar nga një 65-vjeçar nga Shkupi, dhe një “Opel Corsa”, në drejtimin e së cilës ndodhej një 27-vjeçar, të dyja me targa të Shkupit.
Si pasojë e përplasjes, në vendngjarje humbën jetën dy pasagjerë të “Opel Corsa”-s, një 49-vjeçar dhe një 71-vjeçar, të dy nga Shkupi.
Tre persona të tjerë që ndodheshin në “Opel” u plagosën. Një 48-vjeçare pësoi lëndime të rënda trupore, ndërsa një 28-vjeçare dhe drejtuesi 27-vjeçar i automjetit pësuan lëndime dhe u transportuan për trajtim në Kompleksin e Klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
Në vendin e aksidentit është kryer ekspertiza nga ekipet e SPB Kumanovë, ndërsa në ndërhyrje kanë marrë pjesë edhe pesë zjarrfikës të Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve.
Me urdhër të prokurorit publik, drejtuesi 65-vjeçar i “Mercedesit” është ndaluar nga policia. Nga SPB Kumanovë bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të pasojë kallëzim përkatës. Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e aksidentit.
FARIJE DAUTI BAKIU
