Pas vendimit të Hagës për ish krerët e UÇK-së, Prishtina proteston për të pestën ditë me rradhë
20.09.2026 15:12
Prishtina për të pestën ditë me radhë është përfshirë...

Prishtina për të pestën ditë me radhë është përfshirë nga protestat kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që dënuan me gjithsej 81 vite burg ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Për këtë çështje ka reaguar edhe partia GUXO.
Nga kjo parti kanë vlerësuar se shqetësimi i qytetarëve është legjitim dhe se protesta është një e drejtë themelore demokratike. Megjithatë, GUXO ka paralajmëruar se situata nuk duhet të shfrytëzohet për përplasje dhe linçime politike. Sipas saj, vendimi i gjykatës mund të kundërshtohet vetëm përmes rrugëve juridike.
“Dënimet drakonike që nxitën këtë reagim të madh popullor nuk mund të ndreqen përmes linçimeve politike e publike, por vetëm përmes një beteje të pastër juridike. Gjykata e Apelit, si nivel i dytë, mbetet rruga e vetme e duhur për adresimin institucional të këtij problemi”, thuhet në komunikatën e GUXO-s.
Kurti premton mbështetje të plotë për apelimin
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara, tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme të mbështesë ekipet mbrojtëse në procesin e apelit dhe të angazhohet edhe në planin diplomatik. Kurti e ka cilësuar aktgjykimin si të padrejtë dhe ka kërkuar një strategji shtetërore për reagimin ndaj tij.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që të ofrojë mbështetje, në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, me qëllim korrigjimin e verdiktit të Dhomave të Specializuara ndaj ish krerëve të UÇK-së, i cili është i padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe i pasaktë historikisht dhe faktikisht. Një dakordim mbi një strategji shtetërore për reagim sa më të përshtatshëm dhe efikas ndaj verdiktit të shkallës së parë, si në ndihmën e ekipeve në instancat e apelit, ashtu edhe në rrafshin diplomatik, është i nevojshëm", ka shkrua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në rrjetet e tij sociale.
Ai me tej shtoi se Qeveria do të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë për procesin e apelit dhe do të angazhohet edhe në planin diplomatik, duke theksuar se mbrojtja e luftës çlirimtare dhe zbardhja e krimeve të kryera në Kosovë do të jenë pjesë e këtij angazhimi.
FARIJE DAUTI BAKIU
