Botë
Teherani i vendos kushte Uashingtonit, përshkallëzohen sulmet në lindjen e mesme
20.09.2026 16:03
Teherani i dërgon Uashingtonit përmes Katarit kushtet për rikthimin në negociata...

Teherani i dërgon Uashingtonit përmes Katarit kushtet për rikthimin në negociata, ndërsa në terren përshkallëzohet përplasja mes Huthive dhe Arabisë Saudite. Rreziku për një konflikt më të gjerë në rajon po rritet.
Irani i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara, përmes ndërmjetësit Katar, kushtet për rifillimin e negociatave. Teherani kërkon përfundimin e luftës në të gjitha frontet, lirimin e fondeve iraniane të ngrira dhe heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj Iranit. Tani, Irani pret përgjigjen e Uashingtonit.
“Mesazhi i Teheranit është i qartë: nëse Uashingtoni dëshiron të dalë nga kriza që vetë e krijoi, nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të pranojë kushtet e Iranit”, deklaroi sekretar i këshillit të lartë të sigurisë kombëtare të Iranit, Mohsen Rezai.
Irani paralajmëroi gjithashtu se mund të ndalojë eksportin e naftës nga vende të tjera të rajonit nëse pengohet eksporti i tij. Kjo rrit më tej frikën për një çrregullim më të gjerë të tregjeve energjetike.
Ndërkohë, Arabia Saudite njoftoi se ka interceptuar raketa balistike të drejtuara drejt Riadit, ndërsa një zjarr përfshiu një depo karburanti të kompanisë “Aramco”, pranë aeroportit ndërkombëtar. Huthit morën përgjegjësinë për sulmet.
“Në përgjigje të sulmeve ndaj Sanas, ne kryem operacione ushtarake me raketa balistike dhe të tipit cruise, si dhe me dronë. Njëri prej tyre ishte drejtuar ndaj objekteve të ndjeshme në Riad, ndërsa tjetri ndaj objekteve të ‘Aramco’-s”, u shpreh zëdhënës i ushtrisë së Huthive, gjeneral brigade Jahja Sari.
Përshkallëzimi tashmë ka pasoja edhe për tregjet financiare. Tregu saudit i aksioneve ka rënë ndjeshëm, ndërsa edhe bursat e tjera të Gjirit u ndikuan nga frika për përhapjen e konfliktit dhe goditjen e infrastrukturës energjetike. Luftimet vazhdojnë edhe në fronte të tjera. Izraeli ka kryer sulme ajrore në Libanin jugor, ndërsa janë raportuar sulme të reja edhe në Gaza duke marrë jetën e dhjetra civilëve.
“Mbesa ime u vra në kampin egjiptian. Ajo po luante me fëmijët aty, kur të shtënat e forcave pushtuese arritën në kamp. U qëllua në kokë dhe qëndroi në spital për tre ditë, pastaj vdic”, theksoi xhaxhai i vajzës Ahmed Bazazo.
Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje qytetarëve të tyre në nëntë vende të Lindjes së Mesme që të tregojnë kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut për një përshkallëzim të shpejtë të situatës.
FARIJE DAUTI BAKIU
