Botë
Zërat pro-palestinezë në rrugë, protesta nga Tunizia në Filadelfi
20.09.2026 16:27
Në Tunizi, qindra persona dolën në rrugë duke kërkuar lirimin...

Në Tunizi, qindra persona dolën në rrugë duke kërkuar lirimin e katër aktivistëve pro-palestinezë, të arrestuar në lidhje me organizimin e flotiljes humanitare “Global Sumud” drejt Gazës. Aktivistët akuzohen për keqpërdorim të fondeve të mbledhura për flotiljen. Ata i kanë mohuar akuzat, ndërsa mbështetësit e tyre thonë se çështja ka motive politike.
Një prej të arrestuarve, Uael Naouar, ndodhet në grevë urie prej disa javësh, ndërsa mbështetësit paralajmërojnë për përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
“Gjendja e tij fizike dhe psikologjike është përkeqësuar rëndë. Ai është në prag të vdekjes. Të burgosurit e tjerë në grevë urie kanë hyrë në ditën e tetë, për të denoncuar padrejtësinë dhe për të kërkuar lirimin e tyre”, deklaroi Bassem Trifi nga liga tuniziane për të drejtat e njeriut.
“Kjo është një çështje e motivuar politikisht dhe ne i konsiderojmë ata të burgosur për shkak të ndërgjegjes dhe të burgosur politikë”, u shpreh Trifi.
“Këto janë përpjekje për të kriminalizuar solidaritetin e pavarur popullor me popullin palestinez dhe ai po burgos figura të njohura që mbështesin kauzën palestineze në Tunizi”, theksoi mbrojtësi i aktivistëve të ‘Soumoud”, Ghassen Bouazi.
Nga Tunizia, protestat u zhvendosën edhe në Shtetet e Bashkuara. Në Filadelfia, dhjetëra protestues pro-palestinezë u mblodhën u mblodhën para koncertit të Ed Shiran. Protesta lidhet me largimin e reperit Meklemor nga turneu, pas deklaratave të tij në mbështetje të Palestinës.
“Unë mendoj se ajo që bëri Ed Sheeran ishte krejtësisht pa integritet. Ai pati mundësinë të tregonte guxim të vërtetë, por në vend të kësaj e la Macklemore-n në baltë. Jam shumë e zemëruar për këtë dhe doja të vija këtu për të shprehur shqetësimin tim”, deklaroi protestuesi nga Filadelfia.
“Ky ishte momenti që kemi pritur, një mundësi për ta bërë çështjen e Palestinës të qasshme për shumë njerëz që ndoshta nuk dinë për të, nuk u intereson ose refuzojnë ta shohin. Kjo çështje tani është vendosur në qendër të vëmendjes”, u shpreh protestuesja nga Filadelfia.
Nga arrestimet e aktivistëve në Tunizi te protestat para një koncerti në Filadelfia, çështja palestineze vazhdon të gjenerojë reagime të forta edhe përtej Lindjes së Mesme, duke u shndërruar në temë protestash, debatesh publike dhe përplasjesh politike e kulturore, ndërsa thirrjet për të drejtën e palestinezëve vazhdojnë të dëgjohen në vende të ndryshme të botës.
FARIJE DAUTI BAKIU
