Kapet vrasësi i 9 personave në kishë, Obama: Urrejtja, kërcënim për demokracinë

19.06.2015 16:10

Këto janë çastet e fundit të jetës së nëntë pjesëtarëve të kishës afro-amerikane në Çarleston të Karolinës së Jugut, të vrarë brutalisht nga Dilan Ruf, i cili qëndron mes tyre gjatë seancës së studimit të Biblë...

Në video, publikuar në rrjetin social nga njëri prej viktimave, Ruf dallohet në cepin e djathtë, ndërsa dëgjon fjalët e pastorit, Klementa Pinknei, të cilin vetëm pak minuta më vonë do ta vriste bashkë me të tjerët. 21 vjeçari u arrestua brenda 24 orëve nga policia 350 kilometra nga vendi i masakrës, ndërsa autoritetet kanë ngritur padi ndaj tij për vrasje për shkak të racës, pasi të nëntë viktimat ishin pjesëtarë të komunitetit me ngjyrë.

Presidentin, Barack Obama, bëri thirrje që të ndërmerren veprime për dhunën me armë, sepse kjo nuk është hera e parë e vrasjeve raciste.

“Fakti që kjo u zhvillua në një kishë të zezë është e qartë, gjithashtu ngre pyetje në lidhje me një pjesë të errët të historisë sonë. Kjo nuk është hera e parë që kisha ku frekuentohen afro-amerikanët kanë qenë në shënjestër të sulmeve. Dhe ne e dimë se urrejtja të gjithë racave dhe besimeve përbëjnë një kërcënim të veçantë për demokracinë tonë dhe idealet tona”- deklaroi presidenti i ShBA-ve, Barak Obama.

Në një faqe në Facebook, që me sa duket i përket vrasësit të dyshuar, në një foto ai mban veshur një xhaketë me flamuj të epokës së aparteidit në Afrikën e Jugut dhe Rodezisë, sot Zimbabve, gjithashtu të udhëhequr në atë kohë nga pakica e bardhë.

Policia tha se ai ishte i armatosur në momentin e arrestimit, por nuk bëri rezistencë, ndërsa nga hetimet paraprake është zbuluar se kishte disa muaj që po e planifikonte sulmin. Zbulimet e fundit tregojnë se vrasësi pistoletën, me të cilën kreu krimin, ia kishte dhuruar i ati për ditëlindje. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)