Lirohet Haradinaj, Gjykata sllovene lejon kthimin e tij në Kosovë

19.06.2015 16:28

Autoritetet sllovene kanë liruar kryetarin e AAK-së, njëherit dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinajn, të cilit iu mor pasaporta pas ndalimit të tij në Aeroportin e Lubjanës...

Haradinaj këtë lajm e ka bërë të ditur përmes rrjetit social facebook, prej ku dhe ka njoftuar se kanë përfunduar edhe zyrtarisht të gjitha procedurat e ndërlidhura me ndalesën e tij në Slloveni dhe se në Kosovë “pritet të arrijë dikur vonë, pasi të jetë qartësuar orari i fluturimit”.

Haradinaj është ndaluar të mërkurën në Lubjanë deri sa po kthehej nga Gjermania për në Kosovë. Sipas autoriteteve sllovene, ndalesa është bazuar në një kërkesë të Serbisë të vitit 2004, e cila autorizon Interpolin që të arrestojë Haradinajn, si edhe shumë figura tjera të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, numri i saktë i të cilëve nuk dihet.

Lidhur me arrestimin e Haradinaj ka reaguar edhe kryeministri serb, Alaksandar Vuçiç. Sipas tij, e gjithë kjo është bërë me qëllim dhe për t’i shkaktuar probleme Qeverisë serbe në bisedimet me Kosovën, në momentin kur duhet të fillojnë negociatat Serbi-Kosovë në Bruksel, është shprehur Vuçiç për mediat serbe, duke shtuar se ky rast do të shfrytëzohet kundër Qeverisë serbe.

Ndryshe, Kosova i ka nisur notë verbale Sllovenisë, përmes së cilës u ka shpjeguar autoriteteve sllovene se Haradinaj ka qenë me mision special diplomatik dhe zyrtarisht ka kërkuar që t’i kthehet menjëherë pasaporta diplomatike.

Mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga së paku dy të tretat e vendeve anëtare të Interpoolit dhe Europolit bën që ajo të mos jetë anëtare e këtyre dy institucioneve ndërkombëtare të rendit. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)