Maqedoni

Nju Jork, Mickoski takoi sekretarin amerikan Rubio

21.09.2026 14:41

Mickoski dhe Mucunski kanë takuar në Nju Jork, sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio.

Kryeministri Hristijan Mickoski dhe shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, kanë takuar në Nju Jork, sekretarin amerikan të Shtetit, Marko Rubio. Komunikimi i drejtpërdrejtë në nivel të lartë ka rëndësi të veçantë për marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe ShBA-së, ka vlerësuar në këtë takim politik shefi i ekzekutivit. Në takim, siç bëjnë të ditur nga kabineti qeveritar, janë shkëmbyer qëndrime mbi çështjet me interes të përbashkët, thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e mëtejshëm të pozitës së Maqedonisë si aleat i qëndrueshëm dhe i besueshëm i ShBA-së. 
 
“Në një periudhë sfidash të mëdha gjeopolitike, partneritetet e forta dhe dialogu i hapur me aleatët tanë strategjikë kanë edhe më shumë peshë. Maqedonia ka interesa të qarta shtetërore dhe vazhdon t’i përfaqësojë ato me dinjitet dhe parime, së bashku me partnerët tanë strategjikë.”.
 
LSDM: Mickoski bën diplomaci korridoresh
 
Qëndrimi i delegacionit qeveritar në Nju Jork komentohet nga LSDM-ja. Sipas këtij subjekti politik, kjo nuk është diplomaci, por ekskursion. Pa agjendë, pa komunikatë të përbashkët me departamentin e shtetit.
 
“Kjo nuk është politikë, por regji. Maqedonia nuk matet me korridor. Matet me atë që mbetet në vend pasi ata të largohen. Mbetet mbeturina e minierës, fatura. Korridori nuk është Shtëpia e Bardhë. Statusi në Facebook nuk është marrëveshje. Maqedonia nuk bëhet më serioze, sepse kryeministri ka parë një sekretar shteti. Bëhet më serioze kur hajduti të ndalojë së gënjyeri.”.
 
Sipas opozitës maqedonase, elita e vetëshpallur po dëshmohet e nivelit më të lartë në ShBA, gjersa qytetarët e vendit të vet i quan “llum”.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU