Maqedoni

OJQ: Të lehtësohet procedura për donacionet

21.09.2026 15:05

Organizatat joqeveritare që merren me çështjen e donacioneve dhe sponsorizimeve kërkojnë ndryshime në Ligjin për donacionet dhe sponsorizimet...

Organizatat joqeveritare që merren me çështjen e donacioneve dhe sponsorizimeve kërkojnë ndryshime në Ligjin për donacionet dhe sponsorizimet. Propozimi i tyre është që të krijohet një regjistër i posaçëm i pranuesve të donacioneve. Në këtë mënyrë, sipas tyre, procedura do të thjeshtohej dhe nuk do të kishte më nevojë që për çdo donacion të kërkohet paraprakisht vendim nga Ministria e Drejtësisë për përcaktimin e interesit publik. Ndryshime kërkohen edhe në rastet kur donatorët janë ndërmarrje shtetërore. Sipas organizatave, këto kompani duhet që në buxhetet e tyre vjetore të përcaktojnë qartë qëllimin dhe shumën e mjeteve që planifikojnë të ndajnë për donacione.
 
“Deri sa nuk e pranoni atë vendim, nuk jeni të sigurt se do të mund të shfrytëzoni përfitim tatimor. Gjithkund në botë, ky proces është shumë më i thjeshtë dhe kjo dihet paraprakisht, nëse bëj donacion për një kënd lojërash për fëmijë, nëse do ta shfrytëzoj benefitin tatimor. Unë në momentin kur vendosi të  bëj donacion vetëm se e di nëse do ta shfrytëzoj, dhe vetëm e evidentoj atë, ndërsa në pasqyrën përfundimtare më shfaqen. Institucionet nëse dëshirojnë, mund ta verifikojnë atë.”, - deklaroi drejtoresha e OJQ "Konekt", Nikica Kuslinihova.
 
Ligji aktual parashikon lehtësime tatimore për kompanitë që dhurojnë mjete. Donacionet mund të njihen si shpenzim deri në një përqindje të caktuar të të ardhurave, ndërsa për personat fizikë parashikohet përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në një shumë të përcaktuar me ligj. Lehtësime ekzistojnë edhe për kompanitë që dhurojnë pajisje për sektorin publik, të cilat në kushte të caktuara mund të përfitojnë përjashtim nga TVSh-ja. Organizatat vlerësojnë se me procedura më të thjeshta dhe më të qarta do të krijohej një sistem më funksional për donacionet dhe sponsorizimet, duke lehtësuar si punën e donatorëve, ashtu edhe atë të organizatave që i pranojnë këto mjete.
 
FLORIJE KAMBERI