Zgjedhjet në Gjermani, E Majta fiton në Berlin, AFD-ja e para në Meklenburg
Goditje zgjedhore, presion politik, por pa dorëheqje...

Goditje zgjedhore, presion politik, por pa dorëheqje. Kancelari gjerman Merz mbetet në detyrë, megjithëse CDU-ja e tij kristiendemokrate pëson një humbje të rëndë në zgjedhjet rajonale në Berlin dhe Meklenburg-Pomerania Perëndimore.
"Rezultati është një katastrofë, prandaj nuk ka çfarë të diskutohet, por reformat duhet të zbatohen. Unë e marr përgjegjësinë për këtë dhe do të vazhdoj.", - deklaroi kancelari i Gjermanisë, Fridrig Merz.
Tani po fillon testi i vërtetë për kancelarin gjerman, pasi partia e tij pësoi humbje në drejtime të ndryshme politike, nga AFD-ja në lindje dhe nga E Majta në kryeqytet. Në Meklenburg-Pomerania Perëndimore, AFD-ja e shtyu CDU-në nën pragun zgjedhor, ndërsa E Majta arriti të ngjitet në vendin e parë në Berlin. Megjithatë, pavarësisht goditjes zgjedhore, sinjali i parë nga kristiendemokratët është se për momentin nuk ka ndonjë kërkesë të hapur për shkarkimin e Merz-it.
"Friedrich Merz e gëzon besimin tonë. Ai po e udhëheq këtë vend përmes kohërave absolutisht të jashtëzakonshme dhe jashtëzakonisht të vështira, dhe pikërisht prandaj do të diskutojmë për gjithçka që ai tha dje. Këtu nuk bëhet fjalë për shpëtimin e postit të kancelarit, por për gjendjen në vendin tonë.", - theksoi Katarina Dos Santos Virc nga Grupi Parlamentar i CDU-së.
"Reformat duhet të zbatohen në mënyrë që t'u përshtaten njerëzve, dhe asnjë reformë nuk do të dalë nga Bundestagu gjerman në të njëjtën formë në të cilën ka hyrë në të. Udhëheqja e partisë qëndron pas kancelarit.", - u shpreh zëvendëssekretari i CDU-së, Karll Josef Llauman.
AFD-ja feston dhe thekson se koha e CDU-së po mbaron.
"Kjo është fitorja e dytë radhazi në zgjedhjet rajonale për AFD-në, e cila tregon se po e zëvendësojmë CDU-në si parti popullore, për herë të parë në historinë e saj. CDU nuk është aspak e përfaqësuar në një parlament dhe Gjermania duhet të vendosë se si planifikon të vazhdojë më tej. Ne nuk besojmë se CDU mund të vazhdojë në këtë mënyrë.", - deklaroi bashkëkryetari i AFD-së, Alis Vejdel.
Megjithatë, pavarësisht fitores zgjedhore, AFD-ja nuk ka një opsion të sigurt për formimin e Qeverisë, sepse partitë e mbetura e përjashtojnë bashkëpunimin me të.
"Ne besojmë se mandati për të formuar Qeverinë është i yni. Ne jemi të bindur në forcën më të madhe politike dhe duam të sjellim ndryshime.", - theksoi kandidati udhëheqës i AFD-së, Llajf Erik Holm.
Përballë humbjes, presioni ndaj Merz-it nuk vjen vetëm nga opozita, por edhe nga partnerët koalicionues.
"Ne përballemi me sfida vërtet të vështira. Pyetje si shëndetësia, kujdesi për pensionet, të gjitha këto duhet t'i zgjidhim. Por, duhet t'i marrim seriozisht edhe shqetësimet e njerëzve." – u shpreh Matijas Mirsh SPD.
Përballë Merz-it është sfida për të ruajtur mbështetjen në CDU, për të mbajtur koalicionin qeveritar dhe për të treguar rezultate nga reformat mbi të cilat bazoi politikën e tij. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
