Qytetarët për shatërvanin: 2.5 milion euro, investim i lartë në kohë krize

19.06.2015 16:34

Atraktiv, modern dhe me nuanca të ujit shumëngjyrësh, model ky i praktikuar veç më në shumë metropole evropiane, tani gjendet edhe tek ne...

Ky është shatërvani i ri që filloi së funksionuari para disa ditësh në sheshin e kryeqendrës.

Shatërvani vazhdon të tërheq vëmendjen e qytetarëve. Të rinjtë shprehen të mahnitur sepse ofron freski, ndërsa më të moshuarit thonë që tani  në këtë kohë krize nuk ishte i nevojshëm ky investim, që kap vlerën prej 2.5 milion eurosh.

“Kjo për mua është çmenduri totale. Në këtë vend ka nevojë të shpenzohen para për punë sociale, të investohet në shumë sfera të ndryshme, e jo të shpenzohen gjithë këto para për çmenduri”- deklaroi një qytetar.

“Nuk është i nevojshëm ky investim fare, sepse s’ka popullata çfarë të hajë, ndërsa ata ndërtojnë kukulla”- tha një qytetar.

“Unë jam i impresionuar nga pamja e sheshit. Mendoj se gjithçka që ka këtu është e përkryer. Para 30 viteve këtu ishte stacioni i autobusëve, e tani nuk është, por ka bukuri të tjera”- u shpreh një qytetar.

“Nuk është aq e nevojshme të shpenzohen aq shumë para për një shatërvan, mendoj se është shumë 2.5 milion euro. Ka dikush që nuk ka fare para”- tha një qytetar.

Shatërvani është vazhdimësi e projektit “Shkupi 2014” dhe përbëhet prej 128 dritave, që vezullojnë nga rrjedha e ujit. Efekti vizual është i pranishëm, sidomos natën, kur ambienti përreth zbukurohet nga efekti shumëngjyrësh, e që kontribuon që sheshit t’i jepet një atmosferë e ndritshme dhe gjallëruese. (Rexhep Qamili, TVM2)