Iniciativa e KE-së për ndryshime në zgjerim, Austria, Çekia e Sllovakia, mbështetje për RMV-në
21.09.2026 15:47
Austria, Sllovakia e Çekia shprehin interesim për zgjerimin e BE-së....

Austria, Sllovakia e Çekia, veçmas si anëtare të BE-së, edhe në kuadër të treshes së Sllavkovit si grup i veçantë, shprehin interesim për zgjerimin e BE-së. Ketë e thotë ambasadori austriak, Martin Pamer, vendi i të cilit kryeson me këtë platformë të bashkëpunimit rajonal. I pyetur për iniciativën për zgjerim të cilën së shpejti duhet ta prezantojë Komisioni Evropian, Pamer nuk jep detaje, duke thënë se për momentin ende nuk është finalizuar. Thotë se politika e zgjerimit vazhdon, ndërkaq fton RMV-në që të vazhdojë tutje me reforma.
“Ende nuk është tërësisht e qartë. Është akoma në proces diskutimi. Më 27 shtator kemi konferencën ministriale në Vjenë, “Ballkani Perëndimor i treshes së Sllavkovit”, ku do të diskutohet progresi i procesit. Pozitive është se ekziston qëllimi për zgjerim. Maqedonia e Veriut ka bërë mjaft kur bëhet fjalë për Planin e Rritjes dhe për reforma të mëtejme, do t’i jepet mbi 150 milionë euro. Me rëndësi është që të vazhdoni me të njëjtën tempo dhe mos ta humbni përqendrimin nga procesi.”, - deklaroi ambasadori i Austrisë, Martin Pamer.
Edhe Sllovakia e Çekia qëndrojnë krah përshpejtimit të procesit euroitnegrues për vendin tonë.
“Besojmë se eurointegrimi nuk është vetëm deklaratë politike, por edhe bashkëpunim për përafrimin e njerëzve dhe institucioneve drejt BE-së.”, - theksoi ambasadorja e Sllovakisë, Iveta Hricova.
“Fuqishëm besojmë se e ardhmja e RMV-së është në BE dhe do të vazhdojmë të përkrahim zgjerimin në bazë të meritave.”, - u shpreh zëvendësambasadorja e Çekisë, Andrea Shtajner.
Ky grup prej tre shteteve është formuar para 11 vitesh me interes të shtuar për zgjerimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe koordinimin e pozicioneve përpara samiteve të rëndësishme të BE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
