Çmimet e karburanteve, Bozhinovska: Nuk përjashtohen masa të reja

21.09.2026 15:48

Çfarë do të ndodhë me çmimet e karburanteve në ditët në vijim?

Çfarë do të ndodhë me çmimet e karburanteve në ditët në vijim? Qeveria nuk përjashton masa të reja nëse rritja vazhdon, ndërsa për momentin mbetet në fuqi ulja e TVSh-së në 10 për qind. Ministrja e Energjisë, Sanja Bozhinovska, thotë se situata po monitorohet dhe se vendimi për masa të tjera do të merret pas vlerësimit të situatës dhe ndikimit që ato do të kishin mbi buxhetin. Ajo thekson se rritja e çmimeve është pasojë e zhvillimeve në tregjet botërore dhe e luftës, ndaj, sipas saj, vendi ka mundësi të kufizuara për të ndikuar drejtpërdrejt në çmimet.
 
“Bëhet fjalë për një forcë madhore, për një luftë mbi të cilën ne nuk mund të ndikojmë. Që nga marsi, kur filloi e gjithë kjo situatë, kemi ndërmarrë masa – kemi ulur akcizën, kemi ulur TVSh-në dhe kemi dakorduar edhe zbritje me OKTA-n. TVSh-në e kemi ulur në 10 për qind. Ne po diskutojmë, po e ndjekim situatën dhe do të konsultohemi në nivel të Qeverisë. Të martën kemi seancë të Qeverisë dhe do të shohim se si do të vazhdojmë më tej.”, - deklaroi ministrja e Energjisë Sanja Bozhinovska. 
 
LSDM: Kontratë 13.2 milionë euro për matës elektrik
 
Ajo tha se Qeveria, për momentin, nuk ka nisur negociata të reja me OKTA-n për një zbritje shtesë, por një mundësi e tillë mund të shqyrtohet nëse situata eskalon. Ndërkohë, LSDM-ja akuzon Qeverinë për, siç thotë, lidhje të dyshimta mes biznesit dhe pushtetit, duke e lidhur këtë me një kontratë prej 13.2 milionë eurosh për furnizimin me matës elektrikë për EVN Maqedoni.
 
“Kompanisë “METER&CONTROL” nga Serbia i është dhënë kontratë prej 13.2 milionë eurosh për furnizimin me matës. Kjo kompani është e lidhur me “Rudnap Group”, ndërsa lidhjet e kësaj strukture, sipas të dhënave që kemi paraqitur, shkojnë deri te njerëz të afërt me pushtetin.”, - theksoi Maja Serafimovska Borozan nga LSDM.
 
Nga LSDM-ja pretendojnë se lidhjet e kompanisë “Rudnap Group” me ministren Bozhinovska dhe me konsullin e nderit Dushan Adamoviq ngrenë pikëpyetje për mënyrën e funksionimit të rrjetit energjetik dhe marrëdhënieve biznes-politikë.
 
ERSAN PAJAZITI