Gashi: Opozita shqiptare të mos e bllokojë Kuvendin
Kuvendi po përballet me probleme për sa i përket votimit të ligjeve...

Kuvendi po përballet me probleme për sa i përket votimit të ligjeve, të cilat kërkojnë votim të dyfishtë dhe votim të Badinterit, thotë kryeparlamentari Afrim Gashi, sipas të cilit, opozita shqiptare nuk duhet të ketë qasje bllokuese. Kuvendi duhet të jetë vendi ku duhet dallimet politike mes partive të kursehen përmes dialogut, dhe për të mirën e qytetarëve, thotë Gashi.
“Po, është e vërtet se kemi një ngecje në miratimin e ligjeve, të cilat kanë nevojë për mbështetje të dyfishtë, apo siç quhet me votim të Badinterit, por demokracia pikërisht lidhet me bashkëpunimin, kompromisin, dialogun dhe unë personalisht dhe si deputet në Kuvend, mundohemi të gjejmë një gjuhë të përbashkët të gjejmë një zgjidhje, dhe në momentin kur do të kemi zgjidhje do t’i ofrojmë ato zgjidhje, qoftë një nga një si ligj, qoftë konceptualisht si një zgjidhje e përgjithshme, që ta tejkalojmë këtë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gashi: Nevojitet konsensus për ndryshime kushtetuese
Kryeparlamentari po ashtu foli edhe rreth ndryshimeve Kushtetuese. Ato nuk duhet të lihen në harresë, për të njëjtat është mirë që të bisedohet dhe të ndërtohet një konsensus nga të gjitha partitë politike, me të vetmin qëllim që vendi të hapërojë sa më shpejtë drejtë integrimit Evropian, thekson Gashi. Sipas tij, është e nevojshme të diskutohet në Kuvend edhe nevoja e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
“Ndryshimet Kushtetuese kur të përmenden në këtë kontekst kohor gjithmonë janë në relacion me ndryshimet kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me hapjen e negociatave me zgjidhjen e problemit me Sofjen zyrtare. Jemi në bisedime, mendoj se edhe Qeveria edhe kryeministri e kanë bërë të ditur se mund të ketë ndonjë epilog eventual që kohën që vjen, prandaj unë jam shumë optimist dhe bëj ftesë që të shkojmë në atë drejtim.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Gashi theksoi se ai është i mendimit se ligji për pagën minimale duhet të sillet, por për këtë duhet të presin mendimin edhe të ekspertëve të fushave ekonomike, por si i tillë gjatë fundit të muajit tetor, ose fillim të muajit nëntor do të gjendet në seancë Parlamentare.
Gashi theksoi se seanca për pyetjet e deputetëve është caktuar për më datë 24 shtator, ndërsa me datë 29 shtator, në seancë pritet të gjenden edhe 10 ligjet të cilat kërkojnë votim të dyfishtë. (Fitim Kryeziu, TVM2)
