Zgjedhjet në Rusi, partia e Putinit, fitore rekorde
Partia Rusia e Bashkuar e presidentit Vladimir Putin...

Partia Rusia e Bashkuar e presidentit Vladimir Putin ka shënuar fitore rekorde në zgjedhjet e mbajtura prej 18 deri më 20 shtator, të cilat u organizuan edhe në rajonet e pushtuara në Ukrainë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Rusia e Bashkuar mori rreth 58 për qind të votave, duke fituar 355 nga 450 ulëset në Dumën Shtetërore. Pjesëmarrja u raportua në 59.32 për qind. Rezultatet treguan se dhjetëra veteranë ushtarakë të luftës në Ukrainë tani do të jenë deputetë.
“Dua të theksoj edhe një rekord e ajo është dalja e votuesve. Kjo është meritë jo vetëm e pjesëmarrësve dhe organizatorëve të fushatës zgjedhore, por që është më e rëndësishme e votuesve tanë, ata u kuptuan rrethanat, nivelin e presionit ndaj Rusisë, padrejtësitë dhe gënjeshtrat e dukshme, sulmet informative dhe psikologjike ndaj vendit, dhe të mos i përmendim sulmet e pafunda me fluturake pa pilot, si dhe vrasjen e civilëve.”, - deklaroi kryetarja e KQZ-së në Rusi, Ella Pamfilova.
Partia e vetme që kundërshton luftën në Ukrainë, Yabloko, u përjashtua nga zgjedhjet. Lideri i saj, Nikolai Rybakov, shkroi “për paqe” në fletën e votimit me një marker të ndritshëm dhe pozoi me të për fotografët në një qendër votimi në Shën Petersburg.
Pjesa më e madhe e opozitës politike të Rusisë aktualisht ndodhet në burg ose në mërgim. Ndërkohë Bashkimi Evropian i cilësoi si “zgjedhje farsë” zgjedhjet në Rusi. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tashmë i ka cilësuar ato si të tilla, duke vënë në dukje, ndër të tjera, se votimi u zhvillua edhe në zonat e Ukrainës të pushtuara nga Rusia.
“Zgjedhjet e ashtuquajtura për Dumën shënuan një tjetër goditje të madhe për demokracinë ruse.”, shkroi ajo në një postim në rrjetet sociale.
“Fasada e demokracisë është e vetmja gjë që ka mbetur në Rusi. Kam propozuar masa kundër atyre që mundësojnë këto zgjedhje farsë në territoret e pushtuara ukrainase.” (Belinda Koka – Ademi, TVM2)
