Takimi i liderëve, nuk ka marrëveshje konkrete, bisedimet vazhdojnë më 29 qershor

19.06.2015 16:44

Pas një ore bisedimesh në klubin e deputetëve, mbaroi pa sukses takimi i katër liderëve të partive më të mëdha në vend...

Edhe sot liderët e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, ai i LSDM-së, Zoran Zaev, Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSh-së nuk arritën kompromis, ose thënë ndryshe nuk u arrit marrëveshja e cila do të çonte drejt tejkalimit të krizës politike në vend.

Asnjëri nga liderët nuk u prononcua për mediat, por përmes një komunikate të përbashkët, Gruevski, Zaev, Ahmeti dhe Thaçi shprehen qëndrimin e tyre.

“Ne liderët e partive kryesore politike sot u pajtuam ta riafirmojmë zotimin tonë ndaj Marrëveshjes së 2 qershorit, si dhe të vazhdojmë me bisedimet për implementimin e plotë të saj në nivel liderësh më 29 qershor”- thuhet në komunikatën e përbashkët të 4 liderëve politik. 

Kryetarët e partive më të mëdha politike të bllokut maqedonas dhe shqiptar gjithashtu përkrahin menaxhimin transparent të BE-së, me tekstin e kësaj marrëveshje.

“Ne gjithashtu e përkrahim mendimin transparent nga ana e BE-së me tekstin e kësaj marrëveshje, si dhe me të gjitha rekomandimet specifike në lidhje me reformat sistemore në fushën e sundimit të së drejtës, që do të implementohet në interes të të gjithë qytetarëve”- thuhet në komunikatën e përbashkët të lëshuar për mediat menjëherë pas përfundimit të takimit të sotëm të liderëve.

Në takim pritej që liderët politik të përafrojnë qëndrimet, por e vetmja marrëveshje që u arrit nga 4 liderët politik në prezencë të ambasadorit, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, është që sërish të takohen më 29 qershor. (Sanije Kasami, TVM2)