Maqedoni

Intonimi i himnit në shkolla, në Hasanbeg, prindërit dalin kundër, Mustafa: Në arsim s’ka vend për imponime

21.09.2026 17:58

Në Shkollën Fillore “22 Nëntori” në lagjen Hasanbeg të Shkupit...

Në Shkollën Fillore “22 Nëntori” në lagjen Hasanbeg të Shkupit, vendimi i komunës për intonimin e himnit shtetëror ka shkaktuar reagime tek prindërit.
 
Nga këshilli i prindërve e kundërshtojnë një vendim të tillë, prandaj ai nuk ka gjetur zbatim në këtë shkollë.
 
“A e keni interpretuar himnin sot?”, - pyeti gazetari. 
1. “Jo!”, - tha një nxënës.
2. “Jo”, - tha një nxënës tjetër.
3. “Jo ende!”, - u shpreh një nxënësi.
 
Profesori universitar Avzi Mustafa thotë se çdo çështje e imponuar në një shoqëri multietnike, do të ndikojë negativisht, posaçërisht në sistemin arsimor. 
 
“Në shtetet multishoqërore ku jetojnë dhe komunitete të tjera, në qoftë se komunitetet tjera nuk e shohin veten tek himni, nuk ka tjetër përveç një dialogu, marrëveshje mes komuniteteve, pasi që himni duhet shikohet si një shtëpi e përbashkët e të gjitha komuniteteve që jetojnë. Sa i përket çështjes së himnit që imponohet si një imponim, që unë mendoj se nuk është në rregull, këtë e përcakton dhe Kushtetuta, pasi që të gjithë komunitetet janë të barabartë. Unë besoj se këtu kjo çështje nuk është shqyrtuar deri në fund, megjithëse është ndryshuar dhe Kushtetuta dhe ligjet e ndryshme, por disa herë ka qenë një prej çështjeve kryesore për të gjetur një zgjidhje, është neglizhuar dhe tani ja në bazë të komunës ata kërkojnë, por nëse është imponim do të shkojnë në ndarje të etnive nuk do të ketë bashkëpunim, njerëzit do të ndahen në baza, do ta injorojnë dhe nuk do të jetë në të mirë të Maqedonisë multishoqërore.”, - deklaroi profesori universitar, Avzi Mustafa.
 
Zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, vendimin për intonimin e himnit në shkollat e Komunës së Gazi Babës, e ka cilësuar si të përshpejtuar.
 
Ai preferon që për çështje të tilla të zhvillohet dialog paraprak dhe se fokusi të kryetarit të komunës, por edhe të gjitha institucioneve tjera, të jetë angazhimi që t’u sigurohet fëmijëve arsim cilësor, kushte të mira për zhvillimin e procesit edukativo-arsimor dhe kuadër cilësor.
 
Lidhur me vendimin kërkuam më shumë sqarime nga Komuna e Gazi Babës, por nuk morëm përgjigje. Edhe nga shkolla “22 Nëntori”, nuk na dhanë më shumë detaje nëse do të zbatohet një vendim i tillë që kundërshtohet nga prindërit.
 
Vendimi për intonim të himnit daton nga viti 2023 dhe parashikon që çdo orë kujdestarie, që zakonisht mbahet ditën e hënë, nxënësit ta interpretojnë himnin shtetëror. 
 
GAZMEND REXHEPI