Maqedoni
Kontrabanda me ilaçe, aksion policor në disa lokacione
21.09.2026 18:35
Një aksion i madh policor po zhvillohet në disa lokacione në Shkup...

Një aksion i madh policor po zhvillohet në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli, në kuadër të një hetimi kundër një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe dhe suplemente ushqimore.
“Nën drejtimin e një prokurori publik nga Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Veprave Penale të Kryera nga Persona me Autorizime Policore dhe Pjesëtarë të Policisë së Burgjeve pranë Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ministria e Punëve të Brendshme – Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe Krimit të Rëndë, herët këtë mëngjes ka nisur një aksion policor të drejtuar kundër një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë të mallrave dhe vepra penale të natyrës korruptive. Aktualisht janë duke u zhvilluar bastisje dhe veprime të tjera hetimore në disa lokacione.”, - njofton Prokuroria.
Sipas të dhënave të deritanishme, deri më tani në aksion janë arrestuar gjashtë persona. Ndërkohë, policia është në kërkim të edhe disa personave të tjerë, për të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit kriminal. Në mesin e të dyshuarve, jozyrtarisht, ka edhe të punësuar në Drejtorinë e Doganave.
