BE përshëndet vazhdimin e dialogut politik

19.06.2015 17:02

Bashkimi Evropian ka përshëndetur nismën e krerëve të katër partive politike për të vazhduar dialogun për dalje nga kriza, gjithnjë në kuadër të marrëveshjes së dy qershorit...

Zëdhënësja e KE-së, Maja Kocijançiç, rikonfirmoi edhe një herë qëndrimin e BE-së në mbështetje të Marrëveshjes së dy qershorit, si dhe gatishmërinë e Brukselit për të ndihmuar në këtë proces.   

“Ne presim një rezultat konstruktiv dhe përkushtim të ri të liderëve polik. Sa i përket Marrëveshjes së dy qershorit, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar dhe ne besojmë se është në interes të vendit dhe qytetarëve që të arrihet kompromis politik i qëndrueshëm. Ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë në këtë situatë”- deklaroi zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç.

Por, pavarësisht pritjeve të Brukselit, takimi i sotëm nuk solli asgjë të re. Aspekti i vetëm pozitiv është mbajta në jetë e procesit të bisedimeve të nisur nga BE dhe përpjekja për të afruar qëndrimet që do të çonin në finalizimin e Marrëveshjes së arritur në Shkup me ndërmjetësimin e komisionerit për zgjerim, Johanes Han, dhe angazhimin e ambasadorit të ShBA-ve, Xhes Bejli. (Shpëtim Nuredini, TVM2)