Botë

Tragjedi pranë Kalifornisë, rrëzohet helikopteri që luftonte zjarrin - vdesin dy pilotët

21.09.2026 21:27

Dy pilotë humbën jetën pasi helikopteri me të cilin po hidhnin ujë mbi një zjarr masiv...

Dy pilotë humbën jetën pasi helikopteri me të cilin po hidhnin ujë mbi një zjarr masiv u rrëzua brenda Parkut Kombëtar Yosemite në Kaliforni. Ata ishin të vetmit persona në bord.

Helikopteri Super Puma po merrte pjesë në operacionin për shuarjen e zjarrit kur u rrëzua të dielën pasdite, në juglindje të liqenit Ostrander.

Sipas Benjamin Cossel, zëdhënës i ekipit federal që koordinon operacionin kundër zjarrit, helikopteri po përdorte një kovë uji për të hedhur ujë mbi flakët në një zonë të vështirë për t'u arritur.

Dy pilotët punonin për kompaninë ajrore kontraktore Precision dhe ishin pjesë e një ekipi special të zjarrfikësve që përdor helikopterët për të zbritur me litarë në terrene të paarritshme – një teknikë e njohur si helitack rappelling.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje për shkakun apo rrethanat e rrëzimit.

Hetimi do të zhvillohet nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA) dhe Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit (NTSB).

“Me trishtim të paimagjinueshëm dhe zemra të thyera ndajmë humbjen e dy anëtarëve të dashur të ekipit tonë”, deklaroi kompania Precision, duke kërkuar privatësi dhe mirëkuptim për familjet e viktimave.

Emrat e dy pilotëve nuk janë bërë ende publikë. Rreth 580 persona janë angazhuar në luftën kundër Dome Fire, i cili shpërtheu më 15 shtator pranë Wawona, në Kaliforni.

Sipas Qendrës Kombëtare Ndërinstitucionale të Zjarreve, flakët kanë përfshirë rreth 4.7 milje katrore, ose afërsisht 12.3 kilometra katrorë, ndërsa zjarri është aktualisht rreth 15 për qind i kontrolluar.

Vendi ku u rrëzua helikopteri ndodhet rreth 14 kilometra në jug të El Capitan, një prej formacioneve më të njohura të Yosemite, dhe rreth 11 kilometra në verilindje të Wawona.

Vdekja e dy pilotëve e çon në të paktën 14 numrin e personave që kanë humbur jetën këtë vit në SHBA gjatë operacioneve për luftimin e zjarreve, sipas raporteve qeveritare.

Ky është numri më i lartë që nga viti 2022, kur u regjistruan 25 viktima.

Vetëm në muajin gusht, dy pilotë helikopterësh humbën jetën gjatë operacioneve kundër një zjarri në Utah, ndërsa një tjetër pilot u rrëzua në një rezervuar ujor në Kolorado.

Raste të tjera fatale janë regjistruar edhe në Oklahoma, Oregon dhe Minnesota, ku zjarrfikës dhe punonjës të tjerë të angazhuar në luftën kundër zjarreve kanë humbur jetën si pasojë e emergjencave mjekësore, rrëzimit të pemëve, flakëve dhe aksidenteve gjatë operacioneve.

Rrëzimi në Yosemite rikthen në vëmendje rrezikun e madh me të cilin përballen ekipet ajrore dhe tokësore që luftojnë zjarret, veçanërisht në terrene malore dhe të vështira për t'u arritur.