Maqedoni
EShR: Sistemi për mbrojtje dhe shpëtim nuk është mjaftueshëm i përgatitur për katastrofa
22.09.2026 10:25
EShR ka konstatuar dobësi në planifikimin strategjik, koordinimin, pajisjen dhe financimin e sistemit për mbrojtje dhe shpëtim...

Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) ka konstatuar dobësi në planifikimin strategjik, koordinimin, pajisjen dhe financimin e sistemit për mbrojtje dhe shpëtim. Revizorët paralajmërojnë për rritje të rreziqeve nga zjarret pyjore, përmbytjet dhe kushtet ekstreme të motit.
Sipas revizionit, sistemi nuk funksionon si një mekanizëm plotësisht i integruar dhe efikas për parandalim, gatishmëri dhe reagim në kohë gjatë katastrofave. Strategjia Kombëtare për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk është miratuar, ndërsa e fundit ka qenë në fuqi deri në vitin 2018. Draft-strategjia për periudhën 2026–2030 ende nuk është miratuar.
Veçanërisht shqetësuese janë të dhënat për zjarret pyjore. Në vitin 2024, në vend janë regjistruar 97.660 hektarë sipërfaqe të djegura, më së shumti në dekadën e fundit. Në periudhën 2023–2025, sipas NP “Pyjet Kombëtare”, janë djegur 82.714 hektarë, me dëme të vlerësuara në 133,7 milionë euro.
Mungesa e personelit dhe pajisjeve është evidente edhe në shërbimin zjarrfikës. Në Brigadën për Mbrojtje nga Zjarret të Qytetit të Shkupit, nga 384 vende të sistematizuara për zjarrfikës, janë plotësuar vetëm 172, ndërsa revizioni ka konstatuar edhe pajisje të vjetruara.
Në periudhën 2022–2024, për mbrojtjen nga zjarret janë siguruar 2,23 miliardë denarë, por 98,5 për qind e tyre janë shpenzuar për shpenzime rrjedhëse, ndërsa vetëm 1,5 për qind janë destinuar për shpenzime kapitale, përkatësisht për modernizim dhe pajisje.
EShR ka konstatuar gjithashtu dobësi në menaxhimin e mjeteve materiale dhe forcave ajrore, si dhe kapacitete të kufizuara për mbikëqyrje inspektuese. Për kontrollin e të gjitha subjekteve juridike, me numrin aktual të inspektorëve dhe mënyrën e punës, do të nevojiteshin rreth 55 vjet.
Revizorët rekomandojnë reforma për krijimin e një sistemi të integruar për mbrojtje dhe shpëtim, me strategji të re, financim të qëndrueshëm, kapacitete të përforcuara dhe monitorim e mbikëqyrje më efikase.
