Deklarimi i Ivanovit për mediat, Tahiri: Presidenti ka dashur të relativizojë censurën

19.06.2015 17:04

Vlerësimi i presidentit Ivanov se mediat janë fajtore për situatën në të cilën gjenden, është një përpjekje për të relativizuar ndikimin e politikës mbi mediat...

Vlerësimi i tillë vjen nga analisti, Sefer Tahiri. Sipas tij, presidenti ka tentuar që edhe një herë të vihet në funksion të pushtetit.

Tahiri vlerëson se matjet e “Freedom House” mbi lirinë e mediave në Maqedoni nuk janë vlerësime të momentit, ashtu siç pretendon Ivanov, por kemi të bëjmë me matje kredibile të bazuara mbi ambientin politik, juridik dhe ekonomik.

“Ky qëndrim i presidentit Ivanov është një qëndrim për të relativizuar censurën, ndikimin politik dhe mospasjen e kredibilitetit të mediave të cilat janë të afërta me pushtetin dhe është një tentim i tij që edhe njëherë të vihet në funksion të pushtetit, siç e kryen këtë punë gjithmonë në funksionin e tij”- deklaroi analisti, Sefer Tahiri.

Për të dalë nga kjo situatë që aktualisht gjenden mediat, sipas analistit Tahiri, fillimisht do të duhen të bëhen tre reforma kryesore: agjencia e mediave të zbatojë Ligjin për media, me urgjencë të ndërpresë publikimin e klipeve publicitare partiake, si dhe të ndërpritet publikimi i reklamave qeveritare në televizionet komerciale, sepse bëhet korruptimi i tyre. I rëndësishëm është edhe vetë rregullimi mediatik.

“Vetë gazetarët do të merren vesh dhe do të vendosin për atë se çfarë është gazetari dhe çfarë nuk është, dhe nuk do të presin që dikush tjetër t’i rregullojë, apo t’i rregullojë shteti përmes Agjencisë së Mediave dhe ligjeve të mediave, për shkak se çdo rregullim që ndodh nga shteti është kufizim, çdo kufizim çon drejt censurës dhe censura prodhon edhe autocensura, dhe më pas do të sillemi në një rreth vicioz, ku do të kemi media jo të lira, media jo të përgjegjshme dhe media jodemokratike”- tha analisti, Sefer Tahiri.

Në raportin e fundit të “Freedom House” për lirinë e shprehjes së mediave, Maqedonia renditet e fundit në listën e vendeve të Ballkanit.

Sipas analistit Tahiri, për kufizimet mbi mediat flasin edhe OSBE–ja dhe Komisioni Evropian në raportin e fundit për progresin e Maqedonisë. (Meral  Ismaili, TVM2)