Botë
Udhëheqësit botërorë në Asamblenë e OKB-së, nën hijen e luftërave në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme
22.09.2026 11:59
Udhëheqësit botërorë në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së...

Udhëheqësit botërorë në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nën hijen e luftërave në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë. Në fokus janë edhe inteligjenca artificiale, sfidat ekonomike globale dhe reforma e OKB-së. Në margjinat e takimeve, presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u takua me homologun francez Emanuel Makron. Ai njoftoi gjithashtu një takim me Trump-in dhe tha se dëshiron që sanksionet amerikane ndaj Rusisë të fillojnë të japin rezultate. Për të, prioriteti numër një është afrimi i paqes dhe mbrojtja e jetëve.
“Sapo u takuam me senatorët. Jemi mirënjohës për miratimin e ligjit për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit. Do të bisedojmë edhe me presidentin Trump. Dua që sanksionet të fillojnë të japin rezultate.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Makroni më herët ishte takuar edhe me Trump-in, të cilit ia përcolli nevojën e Ukrainës për raketa mbrojtëse shtesë, për shkak të sulmeve ruse me dronë dhe raketa.
“Kemi pasur një diskutim të gjatë për Ukrainën dhe Rusinë, si dhe për nevojën që t’u ofrohet mbështetje më e shpejtë dhe më e fuqishme miqve tanë ukrainas, sa i përket raketave mbrojtëse shtesë, pasi ky është faktori kyç i mbrojtjes. Gjithashtu, rishqyrtuam edhe njëherë nismat e mundshme për një moratorium mbi çështjet që lidhen me energjinë.”, - theksoi presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Trump-i kritikoi publikisht si Ukrainën, ashtu edhe Rusinë për sulmet ndaj rafinerive të naftës, të cilat, sipas tij, janë arsyeja për rritjen marramendëse të çmimeve të naftës dizel në nivel global. Ndërkohë, luftimet vazhdojnë. Rusia kreu një sulm masiv gjatë natës ndaj objekteve industriale, energjetike dhe portuale në Ukrainë. Janë goditur objektiva në Kiev, Dnipropetrovsk, Poltavë dhe Odesë, ndërsa viktima janë raportuar në Dnipro. Kievi iu përgjigj me sulme në Rusi, ku u godit rafineria në Samara.
