Rajon

Kusari Lila: Duhet konsensus për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së

22.09.2026 13:48

Kusari Lila vlerëson se hapat e radhës lidhur me vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të jenë të menduar mirë dhe të dakorduar ndërmjet të gjitha niveleve....

Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila, e cila është pjesë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, e pyetur rreth nismës së PDK-së për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, vlerëson se hapat e radhës lidhur me vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë duhet të jenë të menduar mirë dhe të dakorduar ndërmjet të gjitha niveleve. Sipas saj, qëllimi duhet të jetë rritja e mundësisë për lirimin e tyre, ndërsa ka theksuar se në këtë drejtim duhet të ketë angazhim të plotë në të gjithat nivelet, edhe në atë politik ndërmjet partive opozitare, Qeverisë dhe Kuvendit. 
 
“Jam e mendimit, ashtu siç e kam thënë se është, po thuhet shpesh, fatmirësisht, që duhet të ketë një konsensus të gjerë shoqëror mbi hapat e radhës. Duhet të jenë edhe të menduar mirë në aspektin ligjor, por gjithashtu edhe në rritjen e probabilitetit të lirimit të plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë. Domethënë, përpjekja e përbashkët duhet të ketë angazhim të plotë të të gjitha niveleve, edhe natyrisht në aspektin politik, edhe të partive të deritanishme opozitare, e gjithashtu edhe e Qeverisë e Kuvendit me shumicën, në mënyrë që gjithë mbështetja në këtë rrugëtim ligjor shumë sfidues për vendin të dalë me sukses në fund.”, - deklaroi Mimoza Kusari Lila nga Alternativa. 
 
Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Projektligji i PDK-së kërkon që akuzat ndaj katërshes së UÇK-së të jenë të lidhura konkretisht me pretendimet për të cilat është themeluar kjo gjykatë, e jo me “interpretime të pafundme”. Ndërkohë në Prishtinë dhe diasporë vazhdojnë protestat kundër vendimit të dënimit për ish-krerët e UÇK-së nga gjykata e Hagës.
 
GYLTENE SINANI