Kumanovë, apelohet në zgjidhjen sa më të shpejt të krizës me emigrantët

19.06.2015 17:15

Kriza me emigrantë nga shtete të ndryshme nga Lindja e Mesme, në Kumanovë ka filluar të marrë përmasa alarmante...

Numri i emigrantëve të arritur po rritet prej çastit në çast. Ata kryesisht po orientohen në Xhaminë Qendrore të Kumanovës, e cila tashmë është shndërruar në strehimore, por edhe në qendra spitalore e restorante.

Numri i emigrantëve arrin në disa qindra. Gra e fëmijë kërkojnë ndihmë mjekësore, për të cilët po përkujdesen vullnetarë të shumtë jo vetëm nga Kumanova, por edhe nga Shkupi. Por, po intervenon edhe ndihma e shpejtë në rastet më serioze.

Kameramani ynë regjistroi edhe momentin e ndarjes së drekës, të siguruar nga grupi i valltarëve kumanovarë, për emigrantët e sapoarritur.

Emigrantët rrëfejnë për udhëtimin e tyre të gjatë dhe të pasigurt, por edhe për surprizën e këndshme që i bëhet në Kumanovë. 

Edhe përkundër përpjekjeve maksimale që po bëjnë shoqatat e ndryshme humanitare dhe qytetarët për t’u dalë në ndihmë emigrantëve, megjithatë apelohet tek autoritetet e vendit që sa më shpejt të ndërmerren masa për zgjidhjen e krizës, që është në të mirë të të gjithëve. (Nexhat Aqifi, TVM2)