Protestojnë të punësuarit e gjyqit në Kumanovë, nuk i durojnë fyerjet e kryetares së gjyqit

22.09.2026 15:16

Në Gjyqin Themelor të Kumanovës...

Në Gjyqin Themelor të Kumanovës, të punësuarit dhe pjesëtarë të sindikatës të kësaj gjykate kanë mbajtur një protestë të pazakontë. Në të vërtetë, ata përmes kësaj proteste kanë shprehur shqetësimet nga sjelljet e pahijshme të kryetares Snezhana Maneva, e cila, siç thonë ata, tash e disa vite i fyen të punësuarit në gjyq, e sidomos gjykatësit shqiptarë, të cilët, siç thonë ata, i quan të marrë, budallenj e të paaftë.

“Të marrë, kafshë, asgjë nuk dini, do t’ju djegë, do t’ju shkelë. Së pari do t’ju mbys, e pastaj do ta lë punën. Ju nga kjo gjykatë mund të shkoni vetëm me ndihmën e shpejtë. Ndërsa disa fyerje të tjera ndaj të punësuarve, mua më vjen turp t’i shqiptoj. Këto fyerje tashmë disa vite i durojnë të punësuarit e Gjyqit Themelor në Kumanovë nga kryetarja Snezhana Maneva. Por, Snezhana Maneva të punësuarit i fyen edhe në baza nacionale dhe fetare, sidomos shqiptarët. Kjo është cekur edhe në raportin e këshillit gjyqësor të vitit 2023. Njihet për përçarje në baza nacionale, ndërsa gjyqtarët shqiptarë i ofendon si të marrë, budallenj dhe të paaftë.”, - theksoi kryetari i Sindikatës “UPOZ”, Tërpe Dejanovski.

Nga ana tjetër, lidhur me protestën e sindikalistëve Maneva ka reaguar përmes një kumtese me shkrim.

“Të theksuarit në protestën e sotme të Sindikatës se atmosfera e punës është çrregulluar nga ana ime me masa dhe sjellje joligjore ndaj të punësuarve, kinse janë joligjore, dhe të njëjtat janë cenuar nga ana ime, që siç thuhet ka shkaktuar frikë, shqetësim, si dhe paqartësi tërësisht janë të pasakta dhe të pavërteta.”, - ka reaguar përmes një kumtese kryetarja e Gjyqit Themelore të Kumanovës, Snezhana Maneva.

Kryetarja Maneva thotë se me gjyqin udhëheq në bazë të rregullave pozitive ligjore, në bazë të ligjit për shërbime gjyqësore, si dhe akteve të tjera me të cilat rregullohet funksionimi i gjyqit. (Fatlum Aqifi, TVM2)