Çmimet e karburanteve, përplasen LSDM dhe VMRO-DPMNE
22.09.2026 19:06
Pas vendimit të Komisionit Rregullativ për Energjetikë për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës...

Pas vendimit të Komisionit Rregullativ për Energjetikë për rritjen e çmimeve të derivateve të naftës, kanë reaguar ashpër nga partia opozitare Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Sipas liderit të kësaj partie, Venko Filipçe, vendit tonë dhe qytetarëve, po u cenohet seriozisht standardi jetësor, dhe e gjithë kjo si pasojë e mosinteresimit të Qeverisë, për të sjellë ndonjë masë për zbutjen e varfërisë.
“Kjo tanimë që po i ndodh vendit, asnjëherë nuk na ka ndodhur. Kësi lloj huamarrje, kësi lloj moskujdesi për qytetarët, moskujdes për bujqit, kësi lloj çmimesh të larta të derivateve të naftës, asnjë lloj mase për t’u ndihmuar qytetarëve, kësi lloj qeverisjeje shteti, asnjëherë në të kaluarën nuk ka pasur, por as kësi lloj gjendje siç kemi tani, asnjëherë nuk kemi pasur.”, - deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe.
Por, në të gjithë këtë kanë reaguar nga VMRO-DPMNE-ja, sipas tyre falë masave të cilat i ka ndërmarrë Qeveria, qytetarët sot kanë çmime më të ulëta në rajon. Sipas kësaj partie, qytetarët duhet ta bëjnë vetëm një krahasim me vendet tjera të rajonit dhe do ta kenë të qartë.
“Masat e ndërmarra nga Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE gjatë krizës energjetike po japin rezultate. Maqedonia mbetet me çmimet më të ulëta të karburanteve midis vendeve të rajonit. Për ta bërë më të qartë për publikun, do të krahasojmë çmimet me pakicë të benzinës dhe naftës në vendin tonë dhe në fqinjësinë tonë. Kjo është provë se masat e mirëplanifikuara dhe të modifikuara për uljen e çmimeve, siç është ulja e TVSh-së dhe akcizave, po japin rezultate dhe po i mbajnë çmimet e shitjes me pakicë nën kontroll. Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE udhëhiqet gjithmonë nga interesat e shtetit dhe standardi i jetesës së qytetarëve të saj.”, - thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së, në Maqedoni, një litër benzinë 95 shitet për 99 denarë, ndërsa çmimi me të cilin shitet në Greqi është 30% më i lartë, në Shqipëri për 27%, në Serbi për 9%, në Kroacia për 8% më i lartë, Mali i Zi dhe Sllovenia 7%, dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë për 5%. Sipas VMRO-DPMNE-së, këto janë qëllimet e vërteta të karburanteve në Maqedoni dhe rajon, qytetarët maqedonas shpenzojnë më pak për të mbushur rezervuarët e automjeteve të tyre dhe kështu u mbetet më shumë në buxhetet e tyre familjare, thonë nga VMRO-DPMNE.
FITIM KRYEZIU
