Mickoski në ShBA: Në fokus integrimi evropian, partneriteti me ShBA-në

22.09.2026 19:05

Mickoski tha se Maqedonia e Veriut prej dekadash pret anëtarësimin në BE..

Integrimi evropian, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe projektet infrastrukturore ishin ndër temat kryesore për të cilat foli kryeministri Hristijan Mickoski në samitin „Concordia“ në Nju Jork. Duke folur për procesin e integrimit në BE, Mickoski tha se Maqedonia e Veriut prej dekadash pret anëtarësimin dhe se gjatë kësaj periudhe ka bërë një sërë lëshimesh. Sipas tij, negociatat me BE-në duhet të sjellin reforma në institucione dhe përafrim me standardet evropiane, e jo ndryshim të identitetit. Mickoski tha se nga Brukseli kohët e fundit janë dhënë edhe sinjale pozitive dhe theksoi se vendi do të vazhdojë me reformat dhe harmonizimin me politikat evropiane. 
 
“Ne ndërtojmë dhe zhvillohemi. Maqedonia për më shumë se dy dekada, për shkak të disa arsyeve artificiale, nuk ka arritur të bëhet pjesë e BE-së, pavarësisht të gjitha lëshimeve që ka bërë, ndryshimit të flamurit, Kushtetutës dhe emrit kushtetues. Negociatat me BE-në duhet të shërbejnë për reformimin e institucioneve dhe jo për ndryshimin e identitetit maqedonas apo zgjidhjen e kërkesave bilaterale. Ndërkohë, ne e kemi harmonizuar plotësisht politikën tonë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian. Legjislacioni ynë është pak a shumë i harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian. Ne, jo vetëm që presim, por punojmë për zhvillimin tonë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Filipçe: Mickoski në ShBA, pa asnjë takim konkret
 
Kryetari i opozitës, Venko Filipçe, akuzon se Hristijan Mickoski dhe delegacioni qeveritar qëndrojnë në ShBA, ndërsa opinioni publik nuk ka parë asnjë takim konkret, marrëveshje apo rezultat për Maqedoninë. Ai theksoi se Mickoski po përpiqet ta arsyetojë ekskursionin në ShBA me gjoja mbrojtjen e interesave kombëtare dhe identitetit maqedonas.
 
“Hristijan Mickoski thotë se i ka mbrojtur interesat kombëtare dhe identitetin, një deklaratë e tillë është e tij. Do ta citoj presidenten Siljanovska Davkova: “Marrëveshja e Prespës e konfirmon identitetin maqedonas”, tha presidentja. Çfarë mbron Mickoski kur presidentja thotë se identiteti është konfirmuar me Marrëveshjen e Prespës? E vërteta është e thjeshtë, ai përsëri gënjen, ashtu siç ka gënjyer me vite se do ta kthente emrin, se do ta anulonte Marrëveshjen e Prespës ose se do ta anulonte apo rinegocionte Marrëveshjen me Bullgarinë.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Gjatë qëndrimit të tij në ShBA, Mickoski ka folur edhe për thellimin e bashkëpunimit me ShBA-në, veçanërisht në energjetikë dhe industrinë ushtarake. Në fokus ishin edhe projektet infrastrukturore, përfshirë gazsjellësit me Greqinë dhe Serbinë, naftësjellësin Selanik–Shkup dhe Korridoret 8 dhe 10. 
 
FLORIJE KAMBERI