Skandali i madh i ShISh-it: Arrest për Hysenin, SPAK-u hyri në banesën e Prodës
Një skandal i përmasave të mëdha ka tronditur shtetin shqiptar...

Një skandal i përmasave të mëdha ka tronditur shtetin shqiptar. Drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, është pezulluar nga detyra dhe është në masë arrest shtëpie, pasi dyshohet se ka ndihmuar të fshihet biznesmeni i akuzuar për dosjen e AKShIT, Ergys Agasi, dhe i ka dhënë informacione sekrete.
Teksa agjentët e BKH-së u ndodhën në banesën e saj për të ekzekutuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, Vlora Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit në një forum ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit.
Të forta ishin reagimet e opozitës, e cila tha se shteti ka rënë dhe për këtë përgjegjës është Edi Rama. Por, PS-ja thotë se duhet lënë drejtësia të zbardhë ngjarjen.
SPAK-u arrestoi shefin te Laboratorit Shkencor të Policisë dhe një person që dyshohet se ka fshirë kamerat e lokalit ku dokumentoheshin takime të Agasit.
Autoritetet kontrolluan edhe banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Ai njihet për marrëdhënien e ngushtë me Uljan Shpatarakun, i cili u arrestua si shofer i Ergys Agasit, në operacionin e një muaji më parë.
Proda u thirr sot për t’u marrë në pyetje në Prokurori të Posaçme, nga ku doli dukshëm i shqetësuar. (Luljeta Ndoka, TVM2)
