Revizioni shtetëror, Mbrojtja dhe Shpëtimi me mungesë kapacitetesh
22.09.2026 19:06
Sistemi për mbrojtje dhe shpëtim në vend nuk është mjaftueshëm i përgatitur....

Sistemi për mbrojtje dhe shpëtim në vend nuk është mjaftueshëm i përgatitur për t’u përballur në kohë dhe në mënyrë efikase me katastrofat. Ky është konstatimi i Entit Shtetëror të Revizionit, i cili vlerëson se sistemi shpesh funksionon në mënyrë reaktive dhe me burime të kufizuara. Sipas revizorëve, mungesa e dokumenteve të reja strategjike ka bërë që të mos ketë prioritete, udhëzime dhe skenarë të qartë për veprim në raste katastrofash. Për këtë arsye, shpesh shpallet gjendje krize për të mundësuar angazhimin e ushtrisë, policisë dhe kërkimin e ndihmës ndërkombëtare. Problem mbetet edhe mungesa e zjarrfikësve, pajisjet e vjetruara, mekanizmat e pamjaftueshëm të monitorimit dhe mungesa e financave.
“Rekomandimet e Entit Shtetëror të Revizionit synojnë tejkalimin e dobësive të konstatuara, për të cilat nevojitet zbatimi i reformave për krijimin e një sistemi të integruar dhe funksional të mbrojtjes dhe shpëtimit, si dhe miratimi i një strategjie kombëtare, një kornize të përshtatshme normative, financim adekuat, forcim i kapaciteteve dhe krijimi i një sistemi efikas për monitorim dhe mbikëqyrje.”, - deklaroi revizorja, Gorica Nikollovska.
Stojançe Angellov, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, vlerëson se një pjesë e dobësive të evidentuara nga revizorët janë zvogëluar ndjeshëm me ndryshimet e vitit të kaluar në Ligjin për Menaxhimin e Krizave, si dhe me ndryshimet e Ligjit për Mbrojtje dhe Shpëtim, të miratuara në qershor.
"Gjendja me burimet është përmirësuar ndjeshëm. Këtë verë, pas disa vitesh, aerotraktorët u servisuan në kohë dhe u vunë në funksion para fillimit të sezonit të zjarreve në hapësira të hapura. Është rritur edhe numri i zjarrfikësve vullnetarë dhe ekipeve për reagim të shpejtë të DMSh-së. Këtë verë nuk pati nevojë të kërkohej ndihmë ndërkombëtare dhe për herë të parë vendosëm në dispozicion dy aerotraktorë për Mekanizmin Evropian për Mbrojtje dhe Shpëtim.".
Raporti i revizorëve gjithashtu konstaton se gjendja është veçanërisht kritike në Brigadën e Zjarrfikësve të Shkupit. Në vend të 384 zjarrfikësve të paraparë, aktualisht janë 172, të cilët mbulojnë mbi 600 mijë banorë dhe një territor prej rreth 1.900 kilometrash katrorë. Raporti i revizorëve konstaton gjithashtu se shpëtimi malor nuk është rregulluar ligjërisht si pjesë e forcave operative. Mangësi janë evidentuar edhe në mbikëqyrjen inspektuese. Aktualisht ka vetëm 14 deri në 17 inspektorë, të cilët kryejnë më shumë se 1.300 kontrolle në vit, ndërsa sipas nevojave të përcaktuara do të duheshin 322 inspektorë.
FLORIJE KAMBERI
