Gjykimi për “Higjienën Komunale”, Rustemi dhe Saiti deklarohen të pafajshëm
Ish-ushtruesi i detyrës drejtor i Higjienës Komunale, Sabahudin Rustemi...

Ish-ushtruesi i detyrës drejtor i Higjienës Komunale, Sabahudin Rustemi, dhe ish-menahxeri me mbeturinat, Aki Saiti, u deklaruan se nuk ndjehen fajtor ndaj akuzës së prokurorisë për rrezikim të mjedisit dhe natyrës me mbeturina.
Pala mbrojtëse konsideron se të akuzuarit nuk kanë ndërmarrë kurrfarë kundërveprimi juridik për veprën penale për të cilën ngarkohen. Sipas tyre, problemi me mbetjet është sistemor dhe ende nuk është zgjidhur. Ata thonë se nuk ka ekspertizë për pasoja eventuale, andaj paralajmërojnë shumë dëshmitarë dhe dëshmi.
“I akuzuari as që ka pasur mundësi se si të reagojë me mbeturinat e grumbulluara, gjegjësisht nuk ka pasur kushte reale që të mblidhen mbeturinat. Do të dëshmohet se dëshmi të caktuara të cilat nuk janë dhënë nga prokuroria janë në anën e të akuzuarit dhe assesi nuk ka ekzistuar kurrfarë ndotjeje e mjedisit.”, - deklaroi avokatja e Sabahudin Rustemit, Tea Dameva.
Në gjykatë u deklaruan edhe të punësuar në Higjienën Komunale, të cilët gjatë asaj periudhe kanë qenë në pozicione drejtuese. Ata thanë se ka pasur mungesë të veturave, por edhe ato që kanë qenë në dispozicion kanë qenë me difekte.
Sipas njërit nga dëshmitarët, ata kanë aplikuar nga Qyteti i Shkupit për t’u furnizuar me 41 vetura të reja, por kërkesa nuk është miratuar.
“Prokuroria do ta ketë të vështirë të dëshmojë një vepër të tillë specifike, përkundrazi mbrojtja ka një numër edhe më të madh të dëshmive, dëshmitarëve. Mund ta shihni se edhe dëshmitarët e sotëm, në atë periudhë janë përballur me mungesë të kamionëve të dëmtuar dhe të pashfrytëzueshëm.”, - theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Sipas prokurorisë, në tetor të vitit 2025 si pasojë e mosmenaxhimit të duhur me mbeturina, të akuzuarit kanë shkaktuar ndotje të tokës, ajrit dhe ujit dhe kanë rrezikuar jetën e njerëzve, shkatërrimin e të mbjellave në qytetin e Shkupit dhe krijimin e deponive në hapësira publike.
Procesi gjyqësor vazhdon më 16 tetor me parashtrimin e dëshmive. (Fitim Kryeziu, TVM2)
