Nafta mbi 100 denarë, kush e paguan faturën?!

22.09.2026 16:58

Më shumë para për të njëjtën sasi nafte...

Më shumë para për të njëjtën sasi nafte, por pyetja është: a do të paguajmë më shumë edhe për produktet që blejmë çdo ditë?

Nga sot, një litër dizel kushton 104.5 denarë, pas një rritjeje prej 5.5 denarësh. Për një mbushje prej 50 litrash, kjo nënkupton rreth 275 denarë më shumë. Por, ndikimi nuk ndalet te shoferët. Nëse çmimi i naftës mbetet i lartë, kostoja e transportit mund të reflektohet edhe në çmimet e produkteve e shërbimeve.

Ekspertët thonë se sa më gjatë të qëndrojë çmimi i naftës në nivele të larta, aq më i madh bëhet presioni mbi bizneset që varen nga transporti. Profesori universitar Bujamin Bela vlerëson se për transportuesit, rritja e çmimit të dizelit do të thotë kosto më të larta operative. Dhe këto kosto, në varësi të sektorit dhe kohëzgjatjes së rritjes, mund të kalojnë gradualisht edhe te konsumatori.

“Padyshim se do të reflektojë, por kjo jo domosdoshmërisht nënkupton se çdo rritje prej 10% e çmimit bruto të naftës do të reflektojë me të njëjtën përqindje edhe te çmimi i produkteve ose shërbimeve. Sektorët më kritikë janë ata që kanë të bëjnë me ushqimet bazë  industria ushqimore, bujqësia, ndërtimtaria, logjistika e përgjithshme e kështu me radhë. Të gjithë këta sektorë ndikohen.”, - deklaroi profesori universitar, Bujamin Bela.

Shqetësues mbetet fakti se nuk dihet se sa do të zgjasë kjo gjendje, e cila lidhet ngushtë me krizën në Lindjen e Mesme. Bela vlerëson se mbi këtë bazë, Qeveria duhet të mendojë për masa të targetuara.

“Pasi e dimë se Maqedonia e Veriut është shtet social, ku shumica e familjeve e ndiejnë çdo ndryshim të çmimit të produkteve bazë, shteti — përmes mbështetjes së targetuar që do të orientohet te familjet me të ardhura më të ulëta — duhet të marrë masa. Për shembull: në transportin publik, te bujqit e rinj, apo te ndërmarrjet e vogla që janë të varura nga transporti, që të kenë lehtësime e subvencione lidhur me çështjen e naftës. Kjo vlen edhe për sektorët kritikë të furnizimit për shtetin.”, - u shpreh profesori universitar, Bujamin Bela.

Qeveria, ndërkohë, thotë se situata po monitorohet dhe se, nëse rritja vazhdon, mund të ndërmerren masa të tjera. Aktualisht, në fuqi mbetet masa për uljen e TVSh-së për karburantet. (Ersan Pajaziti, TVM2)