Elezi optimist para ndeshjes me Zvicrën: Besojmë në një rezultat pozitiv
Përfaqësuesja A e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme...

Përfaqësuesja A e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme kishte grumbullimin e parë, ku njëherit futbollistët zhvilluan edhe stërvitjen e parë në prag të ciklit të ri të Ligës së Kombeve.
Maqedonia për herë të parë do të garojë në Ligën B të Kombeve, edhe atë si pjesë e grupit 1, së bashku edhe me Zvicrën, Slloveninë dhe Skocinë.
Këtë cikël të ri të garave e nisim me ndeshjen në shtëpi kundër Zvicrëës, që në program është me datë 26 shtator në Shkup, që më pas të luajmë dy ndeshje të njëpasnjëshme në transfertë ndaj Sllovenisë (29 shtator) dhe Zvicrës (6 tetor), për ta përmbyllur këtë dritare të ndeshjeve me ndeshjen kundër Skocisë me datë 3 tetor në Shkup.
Në prag të ndeshjes kundër Zvicrës, ka folur Agon Elezi, i cili ekipit përfaqësues futbollistik të vendit të tij i bashkohet pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me fanellën e Sarajevës, e ku së fundmi arriti që të shënonte gol në fitoren 2:0 ndaj Slloga Doboj. Elezi thekson se fokusi i përfaqësueses në këtë moment është tërësisht i përqendruar te Zvicra.
“Para së gjithash, është një kënaqësi dhe privilegj i jashtëzakonshëm të jesh sërish pjesë e kësaj përfaqësueseje, e këtij grupi fantastik. Është e vërtetë se na presin katër ndeshje shumë të vështira, por për momentin për ne ekziston vetëm njëra, ajo e së shtunës kundër Zvicrës. Të gjithë i dimë cilësitë e tyre dhe ne duhet të përqendrohemi vetëm te vetja, të mos bëjmë gabime, sepse çdo gabim yni mund të na kushtojë shumë.” – u shpreh fillimisht Agon Elezi, i cili beson se skuadra tashmë është më e pjekur, pas atyre ndeshjeve të para, ku edhe pse munguan rezultatet, ekipi u njoh më mirë mes vete dhe pikërisht kjo mund të jap rezultatin e duhur në këto ndeshje të reja që e presin përfaqësuesen tonë.
“Zvicra tregoi në Botëror se është në formë të shkëlqyer dhe se ka cilësi të mëdha te çdo individ. Por, ne duhet të përqendrohemi te vetja dhe të kemi besim se mund të arrijmë një rezultat pozitiv. Kështu do të hyjmë edhe në ndeshje. Gjëja më e rëndësishme në ndeshjet e mëparshme ishte të njiheshim me stafin e ri teknik, me lojtarët e rinj dhe me idetë e reja. Mendoj se na sollën shumë dhe se mësuam shumë. Gjëja më e rëndësishme ishte të krijonim një atmosferë të mirë mes nesh, mes lojtarëve, dhe kjo u dëshmua. Të gjithë jemi në një atmosferë të mirë, kemi kohezion të mirë dhe tani duhet vetëm ta transferojmë këtë në fushë, duke filluar nga e shtuna.” – deklaroi Elezi, i cili deri më tani me ekipin përfaqësues futbollistik të vendit tonë, ka zhvilluar 14 paraqitje.
Ndeshja Maqedoni – Zvicër do të zhvillohet me datë 26 shtator, duke filluar në orën 20:45, në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” në Shkup.
