Botë
Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së
22.09.2026 18:17
Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së...

Udhëheqësit botërorë janë mbledhur në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila po mbahet nën hijen e luftërave në Ukrainë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë.
Në fokus të sesionit të 81-të Asamblesë janë edhe inteligjenca artificiale, sfidat ekonomike globale dhe reforma e OKB-së, si dhe zgjedhja e sekretarit të ri të përgjithshëm.
Në Asamble po marrin pjesë 130 shefa të shteteve dhe qeverive, përfshi kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan konsideron se OKB-ja duhet ta heqë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, pasi, siç tha ai, pandemia e COVID-19, kriza energjetike, çrregullimet në zinxhirët e furnizimit dhe konfliktet rajonale kanë treguar se “lënia e zgjidhjes së krizave globale në vullnetin e disa kryeqyteteve” nuk është më në përputhje me realitetin.
“Përshtatja e mekanizmave globalë të vendimmarrjes me rrethanat bashkëkohore nuk mund të shtyhet më. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ende pasqyron strukturën e periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Një qasje më efikase, e drejtë dhe e përgjegjshme ndaj përfaqësimit është bërë e domosdoshme. Kjo kërkon jo vetëm zgjerimin e përfaqësimit, por edhe shpërndarje të drejtë të përgjegjësive drejtuese.”, theksoi Erdogan.
Sipas propozimit të tij, Këshilli i Sigurimit nuk do të kishte më anëtarë të përhershëm, por të gjitha vendet anëtare të këtij organi do të zgjidheshin nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat të caktuar. Vendet që do të dëshironin një mandat të ri do të duhej të siguronin sërish mbështetjen e shumicës së anëtarëve të OKB-së.
