Maqedoni

Këshilli Gjyqësor, shqyrtohen pretendimet për Gjykatën e Kumanovës

23.09.2026 13:57

Pas protestës së të punësuarve dhe sindikatës në Gjykatën Themelore të Kumanovës...

Pas protestës së të punësuarve dhe sindikatës në Gjykatën Themelore të Kumanovës, ku u ngritën pretendime për sjellje të pahijshme dhe fyerje nga ana e kryetares së gjykatës, Snezhana Maneva, Këshilli Gjyqësor njofton se prej një kohe po i shqyrton problemet dhe gjendjen në këtë gjykatë. Nga Këshilli Gjyqësor njoftojnë se për situatën në Gjykatën Themelore të Kumanovës tashmë janë formuar dy komisione, ndërsa të dhënat e mbledhura do të përfshihen në raportet që pritet të shqyrtohen në një nga seancat e ardhshme. Do të ketë edhe takim me kryetaren e Gjykatës së Kumanovës. Njoftojnë se ndaj parashtresës dhe të gjitha pretendimeve po veprohet me ndërgjegje dhe në mënyrë të qëndrueshme
 
“Dje të gjithë ishim dëshmitarë të ngjarjeve në Gjykatën Themelore të Kumanovës, ndërsa pati edhe një konferencë për media para gjykatës. Ne si Këshill Gjyqësor tashmë kemi ndërmarrë veprime.”, - deklaroi kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski. 
 
“Në njëfarë mënyre, do ta shfrytëzojmë këtë mundësi që të gjithë së bashku, në një moment, të njihemi drejtpërdrejt me atë që po ndodh. Nga ana tjetër, raportet janë drejt përfundimit, të paktën raporti i komisionit tim. Pres që në njërën nga seancat e ardhshme të jetë në rend dite. Duke përmbledhur informacionet e mbledhura gjatë pranisë sonë në terren në Gjykatën Themelore të Kumanovës, si dhe të dhënat që i marrim çdo ditë nga të dyja palët, gjithçka do të përfshihet në raport. Pas raportit, shpresoj se do të vijmë në një zgjidhje racionale.”, - theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor dhe koordinatori për Gjykatën Themelore të Kumanovës, Ivica Nikollovski.
 
“Për parashtresën jo vetëm që po veprohet, por është vepruar në afatet më të shkurtra të mundshme dhe në mënyrën më të ndërgjegjshme. Ndër të tjera, parashtresa nuk ishte e nënshkruar me nënshkrime origjinale dhe për këtë arsye ekzistonte mundësia që të hidhej poshtë. Megjithatë, duke pasur parasysh interesin publik, ne u udhëhoqëm nga kjo dhe vendosëm që ta shqyrtojmë situatën në Gjykatën Themelore të Kumanovës.”, - u shpreh anëtarja e Këshillit Gjyqësor, Suzana Joshevska Atanasovska. 
 
Kryetarja e Gjykatës së Kumanovës, Maneva, i ka mohuar këto akuza përmes një komunikate me shkrim, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pavërteta. 
 
FLORIJE KAMBERI