Maqedoni

Shënohet 23 Shtatori - Dita Ndërkombëtare e Gjuhës së Shenjave

23.09.2026 14:35

Në një botë ku fjala është zëri i parë i komunikimit, ka edhe një gjuhë që nuk dëgjohet, por që flet fuqishëm....

Në një botë ku fjala është zëri i parë i komunikimit, ka edhe një gjuhë që nuk dëgjohet, por që flet fuqishëm. Është gjuha e shenjave. Një gjuhë që e thyen heshtjen, hap dyer dhe i bashkon njerëzit pa pasur nevojë për asnjë tingull.
Sot më 23 shtator, bota i kushton vëmendje pikërisht kësaj gjuhe, e cila për mijëra njerëz nuk është thjesht mënyrë komunikimi, por identitet, dinjitet dhe urë që i lidh ata me shoqërinë. Në shkollën e mesme të vetme në Shkup ku arsimohen nxënësit me dëmtime në dëgjim dhe në të folur, mesazhi është i qartë, gjuha e shenjave nuk është vetëm një gjuhë amtare, por themel i identitetit, urë bashkëpunimi dhe pjesë e barabartë e shoqërisë.
 
“Ky institucion nuk është vetëm një vend ku nxënësit arsimohen, por është një vend ku e kemi si burim dhe themel i identitetit të shkollës sonë është pikërisht gjuha e shenjave. Resursin që kemi këtu për përdorimin dhe zbatimin e gjuhës së shenjave e kemi zgjeruar në të gjithë territorin e vendit, përkatësisht në çdo shkollë ku prindërit kanë vendosur që fëmijët e tyre të arsimohen.”, - deklaroi drejtorja e ShMShQB "Partenija Zografski”, Sllobodanka Xhepovska.
 
Arsimi gjithëpërfshirës është mision i përbashkët i të gjithëve, tha me këtë rast ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke theksuar se shteti do të bëjë maksimumin për të ndihmuar dhe mbështetur procesin edukativo-arsimor.
 
“Sa i përket përdorimit të gjuhës së shenjave, shteti, aq sa ka mundësi, ndihmon që ajo të jetë e qasshme për personat me dëmtime në dëgjim dhe në të folur. Sigurisht, me kalimin e kohës do të përpiqemi që ta sigurojmë kudo ku është më e nevojshme, përkatësisht në një shtrirje më të gjerë në të gjithë vendin.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Në shënimin e kësaj dite mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili theksoi rëndësinë e gjuhës së shenjave si një mënyrë komunikimi që tejkalon fjalët dhe afron njerëzit me njëri-tjetrin. Ai tha se Kuvendi do të vazhdojë të kontribuojë në përmirësimin e kushteve për këtë kategori qytetarësh.
 
“Bashkëpunimi ynë do të vazhdojë dhe do të sjellë rezultate gjithnjë e më konkrete për këta nxënës të mrekullueshëm. Jam i bindur se ky takim do të përsëritet vit pas viti, me arritje gjithnjë edhe  më të mëdha. Gjuha e shenjave është gjuhë e barazisë, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor. Jam i bindur se në heshtjen e fjalëve dëgjohet zëri i zemrës, ndërsa qartë flet zëri i arsyes dhe ndërtohet dashuria mes njerëzve.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
 
Standardizimi i gjuhës së shenjave është një nga sfidat që duhet të zgjidhet në të ardhmen. Sipas legjislacionit aktual, shteti ka detyrim ligjor që këtyre qytetarëve t’u sigurojë përkthyes dhe përcjellës të informacioneve të transmetuara në media, u tha me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës së Shenjave, më 23 shtator. Sipas Federatës Botërore të të Shurdhërve, në mbarë botën janë përafërsisht 72 milionë njerëz që i përkasin këtij komuniteti, 80 për qind e të cilëve janë nga vendet e zhvilluara. Kolektivisht, ata përdorin më shumë se 300 gjuhë të ndryshme të shenjave.
 
REXHEP QAMILI