Kallas: Takime me Kurtin dhe Vuçiqin në Nju Jork

23.09.2026 15:15

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas...

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara në Nju Jork me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimeve, Kallas ka theksuar nevojën për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, përparimi në normalizimin e marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Kallas ka vënë theks të veçantë edhe te zbatimi i marrëveshjeve të arritura përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit. Ajo ka nënvizuar se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nuk duhet të shihet si një favor ndaj Brukselit, por si një detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj rajonit, i cili, sipas saj, pret marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese. Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale.”, ka shkruar Kallas në X, duke premtuar se BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetës i paanshëm.

Kurti: Dënimet në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së, të padrejta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim kanë diskutuar për sulmin terrorist në Banjskë, ku ka kërkuar që Milan Radoiçiqi dhe anëtarët e tjerë të grupit të përballen me drejtësinë në Kosovë. Kurti është ndalur edhe te aktgjykimi dënues i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ndaj ish-krerëve të UÇK-së të cilin e ka quajtur të gabuar dhe të padrejtë.

“Shpreha shqetësimin tim të thellë për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi pa transparencë në tërësinë e tij. Gjykimi nuk ka përfunduar dhe Republika e Kosovës do të angazhohet që ky proces dhe verdikt të korrigjohen në shkallën e apelit. Ushtria Çlirimtare Kosovës lindi si përgjigje ndaj represionit, vrasjeve e masakrave, dëbimeve masive e spastrimit etnik nga Serbia dhe lufta e saj për liri ishte e drejtë dhe e pastër. Serbia ishte agresori me plan gjenocidal. Qindra mijëra qytetarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe mijëra u vranë, ndërsa rreth 20 mijë gra e burra konsiderohen viktima të dhunës seksuale që u përdor si armë lufte. Shumë krime të forcave serbe mbeten ende pa u ndëshkuar.”, thekson Kurti në rrjetet sociale.

Ai njëherit u ndal edhe te çështja e diskriminimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët, siç tha ai, në Serbi nuk gëzojnë të drejta të barabarta, ndërsa vazhdon edhe spastrimi etnik administrativ me heqjen e adresave. (Gyltene Sinani, TVM2)