Zelenski: Rusia përgatit sulm të madh

23.09.2026 15:30

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, paralajmëroi se Rusia...

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, paralajmëroi se Rusia po përgatit sulm të ri të madh ndaj vendit të tij dhe u bëri thirrje aleatëve që të vazhdojnë forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës. Mbretëria e Bashkuar premtoi mbështetje shtesë në fushën e energjisë dhe të mbrojtjes kundërajrore, ndërsa Bashkimi Evropian këmbëngul që Kievi të përmbushë detyrimet për reformat, në mënyrë që Ukraina të marrë miliarda të tjera në mbështetje financiare evropiane.

“Rreziku i një ofensive me dronë, raketa ose operacion tokësor është shumë i madh edhe për vendet e tjera që kufizohen me Rusinë ose Bjellorusinë. Ato duhet të reagojnë. Nuk bëhet fjalë vetëm për luftën. Nëse nuk u përgjigjeni rusëve, ata do të vazhdojnë më tej.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Zelenski u takua me presidentin amerikan Donald Trump, me të cilin diskutoi përpjekjet për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Trump-i bën përpjekje për të qetësuar liderët

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme, tha se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë ngushtë me liderët e Kievit dhe Moskës për një zgjidhje paqësore.

“Po punojmë me liderët e Rusisë dhe Ukrainës dhe do ta zgjidhim këtë çështje. Mendoj se kjo do të ndodhë më shpejt nga sa mund ta imagjinojnë njerëzit.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Trump.

Rusia deklaroi se nuk ekzistojnë parakushte për fillimin e negociatave të paqes, por ende nuk ka detaje konkrete lidhur me ndonjë takim të nivelit të lartë. Nga Kremlini akuzuan se militarizimi i Ukrainës nga Evropa po vazhdon.

“Zelenski, nëse dëshiron, mund të vijë në Moskë dhe do t’i sigurohen të gjitha garancitë e nevojshme të sigurisë. Ai e di shumë mirë se cilat vendime duhet të merren. Përndryshe, mbajtja e një samiti përpara përfundimit të punës në nivel ekspertësh është e papërshtatshme, sepse do të ishte humbje kohe.”, - u shpreh zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

Pavarësisht bisedimeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, veprimet ushtarake vazhdojnë me intensitet të pandërprerë. Si Ukraina, ashtu edhe Rusia raportojnë sulme të reja gjatë 24 orëve të fundit. (Sara Kajolli, TVM2)