Maqedoni
Reformat, integrimi, Shasivari: Po punohet në Kodin Penal dhe atë Zgjedhor
23.09.2026 15:52
Kodi i ri Penal si pjesë e rëndësishme e reformave është në përgatitje e sipër dhe në fillim të tetorit do të dërgohet për mendim...

Kodi i ri Penal si pjesë e rëndësishme e reformave është në përgatitje e sipër dhe në fillim të tetorit do të dërgohet për mendim, shpalos ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari. Në të njëjtën kohë, ministri i resorit pohoi edhe angazhimin në konitinuitet për Kodin Zgjedhor, për ku paralajmëroi takime me institucionet relevante.
“Jemi në përgatitjen e Kodit Penal. Grupi i punës është takuar dje dhe presim që deri në javën e parë të tetorit ta dërgojmë për mendim dhe më pas në mënyrë institucionale do të dorëzohet për hapa të mëtejme për miratim. Për Kodin Zgjedhor planifikoj takim me të gjithë përfaqësuesit, sepse Kodi Zgjedhor miratohet me konsensus dhe duhet patjetër të krijohet dialog dhe partneritet me të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe aktorët që janë të rëndësishëm në këtë proces.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Shasivari komentet i bëri në sesionin e 75-të në konventën nacionale të BE-së në RMV. Si koordinator i kapitujve 23, jurisprudencës dhe të drejtave themelore, Ministria e Drejtësisë është e përcaktuar në realizimin e reformave të vërtetuara në dokumentet kryesore dhe mekanizmave të BE-së, shtoi Shasivari, duke vënë theksin në luftimin e korrupsionit.
“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të kufizohet vetëm në sanksione. Ajo duhet të përfshijë parandalim, integritet institucional, vlerësim të rreziqeve, legjislacion cilësor, hetime financiare, shkëmbim të të dhënave përmes bashkëpunimit kufitar.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.
Toshkovski: Vlerat evropiane në vepër, jo në letër
I pranishëm në sesion edhe ministri i Brendshëm, Toshkovski. Për të, integrimi evropian pos tjerash është edhe testi i vërtetë se sa institucionet janë të gatshme t’i zbatojnë në mënyrë konsekuente këto standarde në praktikë. Parimi i drejtësisë për të gjithë njësoj është vlera kryesore, shtoi ministri Toshkovski.
“Të fillojmë pak të punojmë në këto vlera evropiane. Të dëshmojmë me rezultate konkrete, me projekte konkrete, me vepra, me shembull vetanak, me shembuj në suaza të institucioneve, organizatave joqeveritare, në suaza të Prokurorisë, gjykatës, të dëshmohemi personalisht në suaza të çdo institucioni.”, - u shpreh ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Në debatin në fjalë për klasterin: “Vlerat themelore” pati komente edhe nga ambasadorë e personalitete të angazhuar në procesin e implementimit të reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
